Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se Kosova, si shtet sovran, ka të drejtë t’ua përcaktojë kompetencat Dhomave të Specializuara në Hagë.

Hasani, tha në emisionin Rubikon në Klan Kosova, se sovraniteti shtetëror nuk mund të bartet në mënyrë të pakufizuar dhe të parevokueshme te një institucion tjetër.
“Dhomat e Specializuara e kanë të drejtën me pa, me folë, kurse ne, shteti i Kosovës, e kemi të drejtën tonë me ia përcaktu kompetencat, si shtet sovran”, ka deklaruar Hasani.
Ai ka argumentuar se një shtet e ruan të drejtën për të rishikuar kompetencat që ia ka dhënë një institucioni.
“Në çdo moment shteti ka të drejtë me ta revoku detyrën, se nuk bartet tërë sovraniteti në mënyrë të parevokueshme e pa fund”, ka thënë ai në Rubikon.
Hasani ka folur edhe për mandatin e Gjykatës Speciale, duke rikujtuar se, ndonëse në fillim ishte diskutuar për një mandat pesëvjeçar, ai dhe disa juristë kishin vlerësuar se mandati mund të zgjatej pa një kufi të përcaktuar kohor.
“Kur është folë për mandat pesëvjeçar të Gjykatës Speciale, unë e disa juristë e kemi ditë që nuk është vetëm pesë vjet, por për mandat pa kufij. Në logjikën dogmatike qysh po thonë këta, atëherë ajo gjykatë ka mandat bash krejt kush ka marrë armë në dorë, me u marrë me ta, këtu e 20 deri 30 vjet”, ka thënë Hasani. /Klankosova.tv




