Naim Murseli, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ka kërkuar prishjen e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë.

Gazeta Sinjali raporton se seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohet ankesa e Murselit, është caktuar të mbahet më 29 tetor 2026, duke filluar nga ora 09:50.
Sipas raportimeve, mbrojtja e Murselit ka dorëzuar një ankesë prej 30 faqesh, përmes së cilës kundërshton vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Në ankesë pretendohet se gjykata i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive, ndërsa janë ngritur pretendime edhe lidhur me mënyrën se si Murseli është marrë në pyetje nga Policia.
Avokatët e tij pretendojnë gjithashtu se gjykata nuk ka marrë parasysh disa propozime të mbrojtjes, përfshirë kërkesën për rindërtimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Përmes kësaj ankese, mbrojtja synon që Gjykata e Apelit ta prishë aktgjykimin e shkallës së parë ose ta ndryshojë atë duke shqiptuar një dënim më të lehtë.
Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa tashmë pritet vendimmarrja e shkallës së dytë lidhur me ankesën e të dënuarit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post LEX | I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli kërkon ulje të dënimit – Caktohet seanca në Apel appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




