Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë seancën plenare të enjten nga ora 10:00.

Në rendin e ditës janë paraparë tri pika, përfshirë votimin e dy propozim-rezolutave dhe rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të kthyer nga Presidentja e Kosovës.
Deputetët pritet të votojnë propozim-rezolutën nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, në votim do të hidhet propozim-rezoluta nga mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Pikë e fundit e rendit të ditës është rishqyrtimi i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kthimit të tij nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula. /Klankosova.tv





