Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin prej 61 mijë e 799 eurosh e 80 centësh për Komisionin Hetimor Parlamentar, i cili po heton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Kërkesa buxhetore u arsyetua nga njëra prej anëtareve të komisionit, Emilija Rexhepi, e cila bëri të ditur se mjetet do të shërbejnë për angazhimin e ekspertëve të jashtëm, vizitat në terren dhe realizimin e aktiviteteve të parapara gjatë hetimit parlamentar.

Ajo theksoi se kërkesa ishte miratuar paraprakisht nga të gjithë anëtarët e komisionit.
Në votim morën pjesë 67 deputetë. Të gjithë votuan për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Me këtë votim, Kuvendi miratoi të plotë kërkesën buxhetore të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Burimi: RTKLive





