Jared Kushner ka deklaruar se u përpoq të shmangte përkeqësimin e marrëdhënieve mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, por ndërhyrja e tij nuk pati rezultatin e dëshiruar.

Në një intervistë të re për revistën New York Magazine, Kushner tha se ndien njëfarë mirëkuptimi për udhëheqësin ukrainas, por mendon se Kievi bëri një gabim të madh duke i zhvilluar negociatat publikisht, transmeton Telegrafi.
Sipas rrëfimit të tij, gjatë një takimi me delegacionin ukrainas në Miami, ai u kishte përcjellë përfaqësuesve të Kievit se Trump ishte i gatshëm të pranonte një ofertë të presidentit rus, Vladimir Putin. Propozimi parashikonte furnizimin e SHBA-së me naftë dizel nga Rusia, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve kundër Moskës.
Zelensky reagoi menjëherë, duke kundërshtuar marrëveshjen dhe duke thënë se Ukraina po shndërrohej në viktimë të saj. Sipas Kushnerit, ky reagim e zemëroi Trumpin.
Presidenti amerikan, sipas versionit të treguar nga Kushner, u tha përfaqësuesve ukrainas se vendi i tyre duhej të “gjente një president të ri”.
Kushner e përshkroi këtë si një nga momentet më të tensionuara në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit. /Telegrafi/





