Gazetari Vullnet Krasniqi, i ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ka folur për dyshimet që çuan në arrestimin e ish-vjehrrës dhe ish-kunatit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati tjetër i saj, Albert Sylaj.

Krasniqi ka deklaruar se dyshon që arrestimet janë bërë pas analizimit të telefonave të të dyshuarve dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë.
Ai ka përmendur tri elemente për të cilat dyshohet se vjehrra mund të ketë qenë e përfshirë në rast: hyrjen në shtëpinë e Arlindës, ushtrimin e presionit psikologjik dhe ndikimin te fëmija, të cilit, sipas tij, i ishte thënë se nëna e tij merrej me magji.
“Vjehrra ka tri elemente të përfshirjes: i pari, invadimi i shtëpisë; i dyti, ushtrimi i dhunës psikologjike para se të vinte fëmija […] Elementi i tretë është se, pas ardhjes në shtëpi, në kuzhinë, presionin ia ka bërë vjehrra”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka folur edhe për dyshimet lidhur me telefonin e D.S., kunatit tjetër të arrestuar, i cili, sipas Krasniqit, dyshohet se e kishte njoftuar bashkëshorten e tij për lirimin e Arlindës.
“Këto informacione janë gjetur në telefonin e Dritonit, i cili e ka lajmëruar bashkëshorten e tij se Arlinda po lirohet”, ka thënë ai.
Gazetari ka ngritur gjithashtu dyshime për një planifikim të mundshëm familjar kundër Arlindës, duke përmendur edhe procesin gjyqësor ndaj bashkëshortit të saj për dhunë në familje.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë, N.S. dhe D.S. dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.
Krasniqi ka theksuar se mbetet të shihet nëse të gjithë personat e dyshuar do të përfshihen në një aktakuzë.
Për më shumë detaje, ndiqeni videon:





