Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar rikthimin e çmimit tavan për naftën, nëse rënia e çmimeve në tregun botëror nuk reflektohet edhe në tregun e Kosovës që nga e premtja.

Këtë koment Kusari-Lila e bëri në seancën e sotme të Kuvendit pas pyetjes së deputetes së Aleancës, Albana Bytyqi.
Ajo ka thënë se gjatë dy ditëve të fundit ka nisur rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa ka paralajmëruar se, nëse kjo nuk reflektohet në çmimet vendore që nga dita e nesërme, ministria do të ndërhyjë përmes vendosjes sërish të çmimit maksimal.
“Pozitive në këto dy ditët e fundit është fillimi i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në tregun në Kosovë, ne do ta kthejmë çmimin tavan, pasi kemi bazë ligjore ta bëjmë atë”, deklaroi ajo. /kp/




