Bashkimi Evropian ka reaguar të enjten pas një vale kërcënimesh për bombë, për shkak të të cilave një numër i madh fluturimesh nga vende të ndryshme të Evropës janë detyruar të devijojnë.

Komisioneri i BE-së për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, ka deklaruar se ende nuk mund të përcaktohet nëse incidentet e raportuara kanë ndërlidhje mes vete, ndërsa ka dënuar çdo kërcënim ndaj civilëve.
“Është ende herët për të nxjerrë përfundime nëse incidentet e raportuara janë të ndërlidhura”, ka deklaruar Tzitzikostas, duke theksuar se “çdo kërcënim ndaj civilëve është i papranueshëm”.
Ai ka siguruar se institucionet evropiane po e përcjellin nga afër situatën dhe janë në kontakt me shtetet anëtare të prekura dhe Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit.
“Sigurimi i mbrojtjes dhe sigurisë së qytetarëve mbetet prioritet. Ne po e monitorojmë nga afër situatën dhe jemi në kontakt me shtetet anëtare të prekura dhe Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit”, ka deklaruar ai.
Tzitzikostas u ka bërë thirrje autoriteteve kombëtare që të bashkëpunojnë ngushtë me operatorët e aeroporteve, kompanitë ajrore dhe organet e zbatimit të ligjit.
Ai ka rikujtuar se autoritetet kombëtare janë përgjegjëse për vlerësimin e kërcënimeve të sigurisë, hetimin e incidenteve dhe zbatimin e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së aviacionit.
Kjo është hera e dytë brenda një jave që Evropa përballet me incidente të tilla. Edhe të martën, një numër i madh fluturimesh u detyruan të devijojnë për shkak të kërcënimeve të ngjashme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




