Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të premten Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ku nga drejtori Atdhe Hetemi ka pranuar Raportin Vjetor të Punës.

Kurti tha se raporti përmban të arriturat e institutit, duke theksuar rëndësinë e punës së tij në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ai veçoi publikimin e listës preliminare të viktimave të vrara gjatë luftës, në të cilën janë përfshirë 13 mijë e 195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000.
Sipas Kurtit, databaza e viktimave përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit pritet të publikohen pas gjashtë muajsh, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë vizitës, kryeministri pa nga afër edhe arkivin e institutit, duke vlerësuar punën për mbledhjen, digjitalizimin dhe verifikimin e materialeve dokumentuese mbi krimet e luftës.
“Pasurimi i vazhdueshëm i arkivit të Institutit, të cilin gjithashtu e vizitova kësaj radhe, përmes mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese mbi krimet e kryera gjatë luftës, është një e arritur shumë e rëndësishme e këtij instituti që po shndërrohet në kujtesë institucionale për historinë e popullit tonë”, ka thënë Kurti.
Ai ka falënderuar drejtorin Hetemi dhe bashkëpunëtorët e institutit për angazhimin e tyre në dokumentimin e krimeve të luftës, me qëllim që kjo trashëgimi dokumentare t’u përcillet edhe brezave të ardhshëm.




