Ka diçka thellësisht të neveritshme në mënyrën se si njerëz të pushtetit në Kosovë reagojnë kur përballet me pyetje për mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore. Në vend që të japin përgjigje, të marrin përgjegjësi dhe të tregojnë se çfarë po bëjnë për ta zgjidhur problemin, ata zgjedhin një rrugë tjetër: arsyetimin, relativizimin, propagandën dhe sulmin ndaj gazetarëve që e bëjnë publike gjendjen.
Kësaj radhe bëhet fjalë për një çështje që nuk mund të trajtohet si debat i zakonshëm politik. Bëhet fjalë për mungesën e barnave esenciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përfshirë barnat dhe terapitë për pacientët me kancer. Bëhet fjalë për njerëz që luftojnë për jetën, për familjarë që përpiqen t’ua sigurojnë terapinë dhe për shpenzime që shumë prej tyre nuk mund t’i përballojnë.

Nuk është fjala për ndonjë luks, as për ndonjë shërbim shtesë që qytetarët mund ta shtyjnë për një kohë tjetër, por për barna nga të cilat varet trajtimi i sëmundjeve të rënda dhe, në raste të caktuara, edhe vetë jeta e pacientëve.
Raportimet e mediave gjatë muajve të fundit kanë dokumentuar vazhdimisht mungesë barnash në Onkologji. Pacientët dhe familjarët kanë treguar se detyrohen t’i blejnë vetë terapitë, ndonëse ato janë pjesë e Listës Esenciale. Në disa raste, shpenzimet arrijnë në mijëra euro. Mjafton të ndalesh një çast te këto shifra për ta kuptuar absurditetin e situatës. Një familje që tashmë përballet me frikën, ankthin dhe pasigurinë që sjell kanceri, duhet të gjejë edhe mijëra euro për barna që do të duhej t'i siguronte shteti. Po nëse nuk i ka këto para, çfarë ndodh?
A duhet pacienti të heq dorë nga terapia, sepse institucionet nuk kanë arritur ta kryejnë një obligim elementar?
Nga zyrtarët dëgjojmë arsyetime për procedura tenderimi, vonesa të operatorëve ekonomikë, mungesë autorizimesh për barna ose probleme të tjera teknike. Por këto arsyetime nuk e zgjidhin problemin e pacientit. As nuk ia paguajnë barnat. As nuk ia kthejnë kohën e humbur. As nuk ia largojnë frikën se terapia e tij mund të ndërpritet.
Sigurisht që furnizimi me barna ka procedura dhe sfida. Askush nuk pretendon se çdo proces është i thjeshtë. Por, pikërisht për këtë ekzistojnë institucionet, buxhetet, ministritë, bordet dhe drejtuesit e spitaleve. Për të planifikuar, parashikuar, prokuruar dhe garantuar furnizimin. Nëse këto procese dështojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund të zhduket duke përmendur një procedurë tenderimi.
Dhe këtu fillon problemi tjetër, ndoshta po aq shqetësues sa vetë mungesa e barnave: reagimi i pushtetit ndaj atyre që i bëjnë këto probleme publike. Në vend se të merret me përgjegjësitë që i takojnë, pushteti merret me gazetarët. Në vend se të kërkojë zgjidhje, përpiqet t’i diskreditojë ata që kërkojnë përgjigje. Në vend se të dëgjojë pacientët dhe familjarët, aktivizon mekanizmat e propagandës në rrjetet sociale për ta zhvendosur vëmendjen nga problemi te ata që raportojnë për të.
Burimi: Dukagjini




