“Kosova e Kadaresë”: Hapet ekspozita në Prishtinë në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

“Kosova e Kadaresë”: Hapet ekspozita në Prishtinë në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

“Kosova e Kadaresë”: Hapet ekspozita në Prishtinë në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë është hapur ekspozita “Kosova e Kadaresë”, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Sponsor 3M Express

Ekspozita sjell materiale të veçanta nga jeta dhe krijimtaria e shkrimtarit, përfshirë letra të rralla drejtuar liderëve botërorë, dorëshkrime, botime dhe objekte nga fondi i tij personal.

Në hapjen e ekspozitës “Kosova e Kadaresë”, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, ka theksuar kontributin e shkrimtarit Ismail Kadare për letërsinë shqipe dhe angazhimin e tij në mbrojtje të çështjes së Kosovës.

Ajo ka thënë se Kadare ishte më shumë se një shkrimtar i madh për Kosovën, pasi autoritetin dhe famën e tij ndërkombëtare i vuri në funksion të çlirimit të Kosovës dhe kundërshtimit të politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

“Ismail Kadare e bëri letërsinë shqipe pjesë të letërsisë botërore. Përmes veprës së tij, shqipja u dëshmua njohur për të dy sytë në mbarë botën. Ndërsa letërsia jonë fitoi një vend të rëndësishëm në kulturën universale. Për ne, në Kosovë, Kadareja ishte më shumë se një shkrimtar i madh. Ai ishte një nga personalitetet intelektuale me ndikim ndërkombëtar, që vuri autoritetin dhe famën e tij si shkrimtar i shquar në funksion të çlirimit të Kosovës dhe të ndaljes së politikave spastruese e diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, tha Krasniqi, raporton EkonomiaOnline.

Arapi Krasniqi ka theksuar se ekspozita sjell letra, fotografi, dorëshkrime, botime dhe objekte nga fondi personal i shkrimtarit, duke mundësuar njohjen më të afërt të lidhjes së tij me Kosovën.

“Ekspozita që hapim sot sjell letra, fotografi, dorëshkrime, botime dhe objekte nga fondi personal i shkrimtarit, si dhe nga fondet e Muzeut, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Përmes tyre, vizitorët do të kenë mundësi të njohin më nga afër lidhjen e Kadaresë me Kosovën dhe gjurmët që kjo lidhje ka lënë në jetën dhe veprën e tij”, potencoi ajo.

Ndërsa, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Blerina Rogova Gaxha, në hapjen e ekspozitës “Kosova e Kadaresë”, ka vlerësuar kontributin e shkrimtarit Ismail Kadare në letërsinë shqipe dhe atë botërore.

Ajo ka thënë se Kadare i përket kategorisë së rrallë të shkrimtarëve që krijuan një vepër të përmasave universale, duke ndërthurur historinë, kulturën, kujtesën dhe fatin e njeriut.

“Ka shkrimtarë që krijojnë letra dhe shkrime letrare, dhe shkrimtarë që më vetminë thyejnë këtë univers letrar. Kadare i përket kësaj kategorie të rrallë. Ai është romancieri që krijoi një tekst të madh, në një botë të madhe në të cilën lidhi në një nyjë realitetin, historinë, kulturën dhe etnosin shqiptar për të krijuar një sistem të vetë.

Për të ndëruar nuk duhet mbyllur sytë, duhet lexuar. Imazhi vërtet është njohje. Vepra e Kadaresë na fton për ta zbuluar atë”, tha Rugova.

E, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në hapjen e ekspozitës “Kosova e Kadaresë”, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, ka vlerësuar lidhjen e tij me Kosovën dhe kontributin në letërsinë botërore.

Malaj ka thënë se Kadare i përket kategorisë së rrallë të krijuesve që arritën ta kapërcejnë kohën dhe kufijtë e vendit të tyre, duke e bërë gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore.

“Ismail Kadare i përket asaj kategorie të rrallë krijuesish që arrijnë ta kapërcejnë kohën dhe kufijtë e vendit të tyre. Përmes fuqisë së fjalës, ai e bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore dhe përvojën historike të shqiptarëve, pjesë të kujtesës universale”, shtoi Malaj.

Ai ka theksuar se Kosova për Kadarenë nuk ishte një realitet i largët apo thjesht temë letrare, por pjesë e ndërgjegjes së tij historike dhe përgjegjësisë intelektuale. Sipas tij, në krijimtarinë dhe angazhimet publike të Kadaresë, Kosova ishte e pranishme si çështje dinjiteti, lirie dhe identiteti.

“Në këtë përkatësi, Kosova zë një vend të veçantë. Për Kadarenë ajo nuk ishte një realitet i largët, apo thjesht një temë letrare. Ajo ishte pjesë e ndërgjegjes së tij historike dhe e përgjegjësisë së tij intelektuale.

Në krijimtarinë, qëndrimet dhe angazhimet e tij publike, Kosova ishte e pranishme si çështje dinjiteti, lirie dhe identiteti. Ai ishte ndër zërat që ndihmuan ta përcillnin të vërtetën e Kosovës përtej kufijve të saj, duke dëshmuar se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të ndahen kurrë nga njëri-tjetri”, potencoi ai.

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare, Besiana Kadare, në hapjen e ekspozitës “Kosova e Kadaresë”, ka rrëfyer lidhjen e babait të saj me Kosovën, e cila, sipas saj, nisi në vitin 1966, kur poeti i ri shqiptar u dëbua në Kosovë.

Ajo ka treguar se Kadare i shkroi Kosovës përmes vargjeve, romaneve, letrave drejtuar presidentëve dhe Papës, artikujve në shtypin botëror dhe intervistave.

“Kadare i shkroi Kosovës me vargje, pastaj me roman, pastaj me letra drejtuar presidentëve dhe Papës, me artikuj në shtypin botëror, me intervista, me pyetje të dërguara përtej hekurave të një burgu. Dhe më në fund me një ditar”, tha Kadare.

Besiana Kadare ka kujtuar edhe angazhimin e të atit gjatë viteve të luftës në Kosovë, duke përmendur letrat që ai ua kishte dërguar në vitin 1991 presidentëve të ShBA-së, Francës dhe Çekosllovakisë, si dhe Papës Gjon Pali II, për t’i paralajmëruar për rrezikun e një masakre ndaj shqiptarëve.

“Në shtator të vitit 1991, nga Parisi i dërgoi letra Papës Gjon Pali II dhe tre presidentëve: Bushit, Mitterrandit dhe Havelit. U shkroi se gjysma e kombit shqiptar kishte shpëtuar nga diktatura, ndërsa gjysma tjetër vazhdonte të lëngonte në një nga diktaturat më të egra që ka njohur bota. Dhe i paralajmëronte: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër shqiptarëve”, tha ajo.

Ajo ka përmendur vizitën e Kadaresë në Prishtinë në vitin 1980, pas botimit të veprave të tij në dhjetë vëllime nga shtëpia botuese “Rilindja”.

Kadare ka kujtuar edhe reagimin e të atit pas demonstratave të vitit 1981, si dhe veprën “Krushqit janë të ngrirë”, përmes së cilës, sipas saj, zëri i studentëve të Kosovës u përcoll përtej kufijve.

“Në vjeshtën e vitit 1980, shtëpia botuese ‘Rilindja’ botoi veprat e tij në 10 vëllime dhe ai erdhi këtu. Prishtina e priti si birin e saj. Pravera që erdhi pas ishte e ftohtë: studentët e Kosovës dolën në rrugë dhe u shtypën egërsisht. Ai shkroi: ‘Krushqit janë të ngrirë’. Libri u botua edhe në frëngjisht dhe në anglisht dhe britma e atyre studentëve ka përcjellë kështu kufijtë që synonin ta mbysnin”, tha Kadare.

Ajo ka rikujtuar edhe se në vitin 2023 Kosova i dha nënshtetësinë Ismail Kadaresë, duke thënë se njeriu që dikur Kosovën e kishte parë vetëm nga qielli, u bë qytetar i saj. “Në vitin 2023, Kosova i dha nënshtetësinë babait tim, njeriu që dikur e kishte parë vetëm nga qielli, u bë qytetar i saj. Kur ai u largua nga kjo botë, Kosova mbajti zi. Për gati 60 vjet, Kadare i shkroi Kosovës. Sot, letrat e tij kanë mbërritur në destinacionin e duhur, këtu në shtëpinë e librit shqip. Dikur na mblodhi një mort, sot na mbledh vepra e tij”, potencoi Besiana Kadare.

Lexo edhe

Gjoba për 43 shoferë kamionësh në Shkup, policia me kontrolle të shtuara në trafik

Gjoba për 43 shoferë kamionësh në Shkup, policia me kontrolle të shtuara në trafik

Franco Foda publikon listën për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën, tre futbollistë ftohen për herë të parë

Franco Foda publikon listën për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën, tre futbollistë ftohen për herë të parë

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Drenas, shkak shkelja e masave të sigurisë

Inspektorati ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Drenas, shkak shkelja e masave të sigurisë

“Kosova e Kadaresë”: Hapet ekspozita në Prishtinë në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit | Momenti