Disa klube të Ligës Premier kanë bërë të qartë se çfarë dënimi duan të marrë Manchester City, nëse vendimi i komisionit të pavarur që e shpalli fajtor klubin konfirmohet pas apelit.
Pas një procesi të gjatë para komisionit të pavarur, Manchester City u shpall fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura ndaj tij nga Liga Premier. Shkeljet lidhen me periudhën 2009-2018, gjatë së cilës klubi fitoi tri tituj të Ligës Premier.
Javën e kaluar, Liga Premier publikoi gjetjet e komisionit, duke bërë të ditur se City kishte përdorur kontrata “fiktive” për të fryrë të ardhurat dhe për të ulur kostot.
Komisioni konstatoi gjithashtu se Manchester City kishte organizuar skema të fshehura financimi me partnerë komercialë, në vlerë prej më shumë se 830 milionë euro.
Për më tepër, City u shpall fajtor për të gjitha, përveç njërës, prej akuzave që lidhen me mosbashkëpunimin me hetimin e Ligës Premier. Komisioni deklaroi se “një numër dëshmitarësh të rëndësishëm të klubit dhanë dëshmi të rreme në aspekte kyçe”, ndërsa disa prej tyre dyshohet se kishin dhënë me vetëdije dëshmi të pavërteta dhe të pandershme.
Tani, sipas BBC Sport, disa klube të Ligës Premier kërkojnë që Manchester City të përballet jo vetëm me një dënim për shkeljet financiare, por edhe me masa që do të preknin rezultatet e së kaluarës.
Sipas një burimi, të paktën katër klube të Ligës Premier besojnë se një zbritje e vetme e pikëve, e cila me shumë gjasë do ta dërgonte Cityn në Championship, nuk do të ishte dënim i përshtatshëm për shkeljet e konstatuara.
Një drejtues i lartë i një klubi të Ligës Premier i ka thënë BBC Sport se Manchester City duhet të privohet nga tri titujt e fituar në periudhën 2009-2018.
Megjithatë, nuk ka ndonjë kërkesë që këta tituj t’u jepen klubeve të tjera.
Manchester City vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij dhe më 1 tetor ka paraqitur ankesë ndaj vendimit. Klubi anglez pretendon se posedon një “tërësi gjithëpërfshirëse provash të pakundërshtueshme” që, sipas tij, e mbështesin qëndrimin e klubit./Telegrafi/




