Qytetarët e Kepit të Gjelbër po votojnë të dielën për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të vendit. Presidenti aktual, José Maria Neves, i cili fitoi zgjedhjet e vitit 2021, synon një mandat të dytë dhe përballet me pesë kandidatë të tjerë.

Në mesin e kandidatëve është edhe Joana Rosa Amado, gruaja e parë që garon për postin e presidentes në historinë e vendit, transmeton Telegrafi.
Procesi i votimit nis në orën 08:00 dhe qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura për 10 orë. Rezultatet paraprake pritet të publikohen gjatë natës. Nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën absolute të votave, raundi i dytë do të mbahet më 29 nëntor.
Amado, 61-vjeçare dhe avokate me mbështetjen e opozitës nga Lëvizja për Demokraci (MpD), po zhvillon fushatën me sloganin “Dëgjoje Kepin e Gjelbër”. Ajo ka thënë se kjo nënkupton njohjen e shqetësimeve dhe pritshmërive reale të qytetarëve, e jo premtime të parealizueshme.
“Zgjedhja e një gruaje presidente do t’u tregonte shumë vajzave dhe grave të reja se asnjë post shtetëror nuk është i paarritshëm për to”, deklaroi ajo për mediat.
Ish-ministrja e Drejtësisë e ka përqendruar fushatën te ruajtja e balancës së pushtetit. Sipas saj, vendit i nevojitet një kundërpeshë ndaj Partisë Afrikane për Pavarësinë e Kepit të Gjelbër (PAICV), e cila mbështet Nevesin dhe kontrollon qeverinë dhe shumicën e komunave.
Ndërkaq, Neves, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 fitoi rreth 52 për qind të votave, ka premtuar të sigurojë mbështetje përtej ndarjeve partiake për përmirësimin e kushteve të banimit, shëndetësisë dhe arsimit. Ai ka zotuar gjithashtu krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave.
66-vjeçari ka shërbyer si kryeministër dhe president i PAICV-së në periudhën 2001–2016.
Në mesin e kandidatëve të tjerë është edhe kirurgu 45-vjeçar Gilson Alves, i cili paraqitet me një qasje autoritare dhe premton luftë kundër korrupsionit, lejimin e posedimit të armëve dhe rikthimin e dënimit me vdekje.
Kepi i Gjelbër ndodhet në brigjet e Afrikës Perëndimore, rreth 600 kilometra larg Senegalit. Vendi ka afërsisht gjysmë milioni banorë dhe njihet për stabilitetin demokratik, kalimin paqësor të pushtetit dhe zgjedhjet konkurruese.
Në korrik, Banka Botërore e klasifikoi zyrtarisht Kepin e Gjelbër si vend me të ardhura të mesme të larta. Ky vlerësim erdhi pas rritjes ekonomike në sektorin e turizmit dhe shtimit me 16.8 për qind të të ardhurave kombëtare bruto për frymë nga viti 2023 në vitin 2024.
Megjithatë, vendi vazhdon të përballet me disa sfida, përfshirë pabarazinë e vazhdueshme sociale, izolimin gjeografik dhe mungesën e mundësive të përballueshme për udhëtime ndërmjet ishujve.
Ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve janë rritja e kostos së jetesës, çmimet e karburanteve dhe papunësia tek të rinjtë. /Telegrafi/





