Një vendim gjykate për mbajtjen financiare të katër fëmijëve ka përfunduar në duart e hetuesve në Prishtinë. Një grua ka denoncuar ish-bashkëshortin, duke pretenduar se ai nuk po e respekton detyrimin për të paguar 1 mijë euro alimentacion në muaj. Edhe pse më vonë është raportuar një transfer bankar prej 900 eurosh, ndaj tij është iniciuar rast penal për mospërfillje të gjykatës.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti përfshin ish-bashkëshortët M.K. 39 vjeçare dhe B.S. 43 vjeçar, të cilët janë të divorcuar dhe kanë katër fëmijë të përbashkët.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në mars të vitit 2026, Gjykata kishte marrë vendim që babai të paguante nga 250 euro në muaj për secilin fëmijë, gjithsej 1 mijë euro në muaj.
Mirëpo, sipas deklarimit të ish-bashkëshortes, nga muaji maj ai nuk e kishte përmbushur detyrimin e caktuar.
Për këtë arsye, më 19 qershor, ajo ishte paraqitur në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, ku kishte denoncuar mosrespektimin e vendimit gjyqësor.
Fillimisht, rasti ishte evidentuar përmes një shënimi zyrtar, ndërsa më pas hetuesit kishin nisur veprimet për sqarimin e rrethanave.
Gjatë intervistimit, B.S. ka deklaruar se vendimin gjyqësor e kishte pranuar avokati i tij dhe se ky i fundit duhej të paraqiste ankesë.
Zhvillimet kanë vazhduar deri më 30 tetor, kur i dyshuari ka njoftuar Policinë se, pas pranimit të një vendimi nga Gjykata e Apelit, kishte realizuar një transfer bankar prej 900 eurosh në llogarinë e ish-bashkëshortes.
Megjithatë, kjo pagesë e raportuar nuk e ka përmbyllur rastin.
Pas veprimeve hetimore dhe konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, është urdhëruar inicimi i procedurës penale për veprën “Mospërfillja e Gjykatës”.
Nga informacionet e deritanishme nuk është sqaruar përmbajtja e vendimit të Apelit, nëse transferi prej 900 eurosh përbën pagesë të pjesshme të detyrimeve apo cilës periudhë i referohet.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa përgjegjësia eventuale penale do të përcaktohet gjatë procedurës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




