Xhavit Jashari nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje për bashkim dhe unifikim, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin, siç tha ai, vendimin e duhur lidhur me Gjykatën Speciale.
Jashari tha se kërkesa e tyre ka qenë për bashkim dhe unifikim, ndërsa theksoi se sheshet janë mbushur me mbishkrimin “Jo në emrin tim”.
“Që nga vendimi fillestar, sheshet janë të mbushura me ‘Jo në emrin tim’. Kërkesa jonë ka qenë thirrje për bashkim e unifikim dhe në të drejtën tonë. Institucionet e vendit duhet ta marrin vendimin e duhur”, tha Jashari, raporton Telegrafi.
Ai kërkoi që Kuvendi të procedojë dhe të miratojë një ligj që, sipas tij, do ta shfuqizonte Gjykatën Speciale, të cilën e akuzoi se ka goditur krerët e UÇK-së me, siç u shpreh, “akuza të pabëra”.
“Sot të sillet ligji e të kalojë edhe në leximin e dytë me një që e shfuqizon Gjykatën Speciale, e cila i goditi krerët e UÇK-së me akuza të pabëra. Këtë gjykatë që goditi mbi historinë e kombit shqiptar e mbi të gjitha në shtetësinë e Kosovës”, tha ai.
Jashari iu drejtua edhe Policisë së Kosovës, duke kërkuar nga zyrtarët që kanë dhënë urdhra të kenë kujdes, ndërsa tha se ka informacione për persona të lënduar dhe veteranë që, sipas tij, ndodhen në stacione policore.
“I bëj thirrje policisë dhe atyre që dhanë urdhra, pasi kemi informacione që kemi të lënduar në numër të madh dhe kemi informacione që kemi veteranë që janë nëpër stacione policore. Policia është e jona dhe të gjithë ne që jemi këtu e respektojmë, në kulminacion uniformën”, deklaroi Jashari. /Telegrafi/




