E burgosura me vdekje në SHBA, Christa Pike, është liruar nga spitali pas ekzekutimit të dështuar në fund të muajit të kaluar, kanë bërë të ditur avokatët e saj.

Pike, 50-vjeçare, është kthyer në burgun ku ka kaluar 30 vjetët e fundit dhe po vazhdon të marrë trajtim mjekësor, thuhet në deklaratën e avokatëve të saj të publikuar të shtunën.
Ajo i mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse me pentobarbital më 30 shtator, të cilat e lanë në gjendje kritike shëndetësore.
Pike e riktheu vetëdijen në fillim të kësaj jave dhe nisi të fliste, duke i habitur ekspertët, personelin mjekësor dhe avokatët e saj, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Rasti i saj konsiderohet i paprecedentë, pasi ajo besohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pas një përpjekjeje për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës.
Në deklaratën e tyre, avokatët thanë se Pike ishte “mirënjohëse ndaj ekipeve të para të reagimit dhe personelit mjekësor për kujdesin e treguar në këto rrethana të jashtëzakonshme”.
Nuk dihet se çfarë trajtimi mjekësor po merr ajo pas kthimit në burg, por avokatët kishin deklaruar më herët se e pret “një rrugë e gjatë drejt rikuperimit”.
Departamenti i Korrigjimit i shtetit të Tennessee-s ende nuk ka shpjeguar pse ekzekutimi nuk shkoi sipas planit, ndonëse ka mbrojtur metodën e përdorur.




