Boksieri shqiptar i kategorisë së rëndë Nelson Hysa thotë se u desh të dorëzojë meçin për titull bote kundër Agit Kabayelit, shkaku i një lëndimi në bërryl. Hysa u dorëzua në raundin e dytë në meçin për titull të botës në versionin WBC në kategorinë e rëndë.

Meçi u zhvillua të shtunën mbrëma në Duesseldorf para 50 mijë tifozëve.
Në një video të publikuar nga “ShkodraWeb” e disa mediume tjera shqiptare, Hysa 42-vjeçar shihet duke biseduar me stafin e tij.
Ai i tregon trajnerit se u desh të dorëzohej pasi e lëndoi bërrylin. Tregon se Kabayel ia kishte kapur bërrylin.
Hysa po ashtu thotë se Kabayel “s’kishte grusht fare” dhe po ashtu thotë se e kishte tronditur Kabayelin me goditje.
“I ikën sytë”, dëgjohet Hysa të thotë në video.
E Kabayel në një intervistë pas meçit ka thënë se priste një luftë më të fortë dhe të gjatë nga Hysa dhe se ishte i përgatitur për një luftë të tillë.
“Kur lufton për titullin e kampionit të botës, kjo është mundësia e jetës tënde. Atëherë nuk mund të hysh në ring në atë mënyrë dhe, pas vetëm disa goditjeve, ta kthesh kokën anash. Ti flet me të madhe, më sfidon, por në fund paraqitesh me një performancë të tillë. Kjo është për të ardhur keq”, tha Kabayel për “Bild”.
Për Hysën ishte humbja e parë pas 25 fitoreve (23 KO). Kabayel shënoi fitoren e 28-të nga po aq meçe.
Burimi: Insajderi





