Haxhimusa: Sa më shumë që importojmë energji elektrike, aq më shumë rriten tarifat (VIDEO)

Haxhimusa: Sa më shumë që importojmë energji elektrike, aq më shumë rriten tarifat (VIDEO)

Haxhimusa: Sa më shumë që importojmë energji elektrike, aq më shumë rriten tarifat (VIDEO)

Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, për emisionin “Info Magazine” ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin veprime konkrete për të adresuar situatën aktuale me furnizimin me energji elektrike, në një kohë kur kërkesa për energji është rritur ndjeshëm për shkak të rënies së temperaturave.

Sponsor 3M Express

Haxhimusa ka theksuar se gjenerimi vendor aktualisht nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar konsumin, veçanërisht për shkak të rritjes së kërkesës për ngrohje, e cila në masë të madhe sigurohet përmes energjisë elektrike.

“Është me rëndësi që në këto momente Qeveria dhe institucionet e Kosovës të veprojnë dhe të tregojnë se janë duke u marrë me këtë gjendje. Është një situatë për të cilën ata duhet ta shohin veten përgjegjës për t’i adresuar problemet e furnizimit me energji elektrike, për shkak se gjenerimi vendor për momentin është i pamjaftueshëm për ta mbuluar konsumin. Kjo vjen si pasojë e rënies së temperaturave dhe rritjes së kërkesës për ngrohje, ku një pjesë e madhe e saj sigurohet përmes energjisë elektrike”, ka deklaruar Haxhimusa për Klan Kosova.

Ai ka thënë se situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e një pjese të kapaciteteve prodhuese vendore, pasi njëri nga blloqet e Kosovës B është jashtë funksionit për shkak të remontit. Sipas tij, kjo e rrit hendekun ndërmjet prodhimit vendor dhe konsumit, duke e bërë të domosdoshëm importin e energjisë elektrike.

“Në këto momente, për fat të keq, e kemi një prej blloqeve më të mëdha të Kosovës, konkretisht një bllok të Kosovës B, në remont. Kjo nënkupton se një pjesë e energjisë i mungon gjenerimit vendor dhe, rrjedhimisht, hendeku ndërmjet gjenerimit vendor dhe konsumit rritet. Ky hendek duhet të mbulohet në një mënyrë apo tjetër, ndërsa fatkeqësia është se pikërisht në këto momente çmimet e energjisë elektrike në bursat evropiane janë shumë të larta”, ka theksuar ai.

Sipas ekspertit, çmimet e larta në tregjet evropiane, të ndikuara edhe nga zhvillimet dhe problemet gjeopolitike, e bëjnë importin e energjisë veçanërisht të kushtueshëm për Kosovën. Kjo, sipas tij, përkthehet në barrë shtesë financiare për vendin dhe qytetarët.

“Problemi është se në këto momente Kosova duhet të importojë energji elektrike me çmime shumë të larta, dhe kjo e rëndon buxhetin e qytetarëve të Kosovës. Çdo megavat-orë që importohet blihet me çmime të cilat mund të arrijnë nga 200 deri në 250 euro, ndërsa energjia elektrike që konsumojnë qytetarët e Kosovës dhe që gjenerohet nga KEK-u blihet me një çmim prej rreth 29 apo 30 euro për megavat-orë. Pra, kur e bëjmë krahasimin, kemi një dallim shumë të madh: energjinë e importuar në bursat evropiane mund të na duhet ta blejmë për 200 deri në 250 euro për megavat-orë, ndërsa energjia e prodhuar nga KEK-u kushton rreth 30 euro për megavat-orë”, ka deklaruar Haxhimusa.

Ai ka vënë në pah se ky dallim i madh i çmimeve e bën edhe më të rëndësishme ndërmarrjen e hapave institucionalë për menaxhimin e situatës dhe adresimin e sfidave me furnizimin me energji elektrike./Klankosova.tv

Lexo edhe

Gara “European Defense Tech Hackathon”, të rinjtë e Kosovës dëshmojnë potencial të jashtëzakonshëm në teknologjinë e mbrojtjes

Gara “European Defense Tech Hackathon”, të rinjtë e Kosovës dëshmojnë potencial të jashtëzakonshëm në teknologjinë e mbrojtjes

“Mënyra qysh na kanë portretizu, është makabre”, Ukshini për raportin e Dick Martyt (VIDEO)

“Mënyra qysh na kanë portretizu, është makabre”, Ukshini për raportin e Dick Martyt (VIDEO)

Britney Spears i kërkon falje familjes: Më mungoni shumë

Britney Spears i kërkon falje familjes: Më mungoni shumë