Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Kosovës, duke vlerësuar se po i shfrytëzon problemet e saj të brendshme.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hasani ka deklaruar se mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është bërë qëllimshëm, para shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale.
“Hiq pa e ditë vendimin final të Gjykatës Speciale [për krerët e UÇK-së], është ditë që mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është bërë qëllimshëm”, ka thënë Hasani.
Ai ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me kërkesa të reja nga Bashkimi Evropian edhe nëse i zbaton marrëveshjet e arritura, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit.
“Ti do ta implementosh Marrëveshjen e Ohrit pikë për pikë qysh e ke pranu, se s’ke nga ikë dhe nuk do të thotë kush faleminderit. Dhe rreziku është që prapë nuk pranohesh as pas kësaj, se mandej ndërrohen kriteret”, ka deklaruar ai.
Sipas Hasanit, Bashkimi Evropian po i vendos si kushte çështjet e brendshme të Kosovës, ndonëse, sipas tij, zgjidhja e tyre nuk është e mundur në rrethanat aktuale.
“Bashkësia Evropiane po luan me kartën e problemeve të brendshme të Kosovës. Shumë lehtë është kur prishen dy vllazni, i treti prej fshati tjetër me ardhë me i nxitë ata më shumë. Pra po i aktivizon dinamikat e brendshme si Marrëveshjen e Ohrit dhe plot probleme tjera të cilat po i vë si kushte duke e ditë që ato nuk bëhen tash”, ka theksuar Hasani. /Klankosova.tv




