Adelina Hasani nga Forumi Atlantik i Kosovës ka vlerësuar marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik për sigurinë dhe stabilitetin evropian.

Deklarata e përbashkët që doli nga kjo ujdi përfshin gjithashtu angazhime për forcimin e shkëmbimeve në industrinë e mbrojtjes dhe mundësinë e pjesëmarrjes britanike në mekanizmat europianë të bashkëpunimit për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake.
Hasani duke folur rreth kësaj teme në “Info Magazine” në Klan Kosova tha se bashkëpunimi mes dy palëve është i rëndësishëm edhe për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka veçuar vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.
“Nuk mund të arrihet paqe ku në tavolinën e diskutimit nuk është Ukraina”, ka deklaruar Hasani.
Duke komentuar kërkesën e kryeministrit Albin Kurti drejtuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për njohjen e Kosovës, Hasani ka thënë se Rusia vazhdon ta përdorë rastin e Kosovës për të krijuar paralele me Ukrainën, njofton Klankosova.
Ajo ka theksuar se sensibilizimi i opinionit ukrainas për historinë e Kosovës është i rëndësishëm për të luftuar narrativat dezinformuese.
“Sensibilizimi i opinionit në Ukrainë është i rëndësishëm, qoftë përmes kryeministrit, qoftë përmes shoqërisë civile, pasi paralelet që Rusia është përpjekur t’i paraqesë janë të pavërteta. Historia e Kosovës është krejt ndryshe nga ajo që është munduar të paraqitet nga Rusia”, ka theksuar Hasani. /Klankosova.tv/Klankosova.tv





