Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027.

Sipas tij nuk nuk garanton as mirëmbajtjen e investimeve dhe shërbimeve ekzistuese.
Gjatë diskutimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet buxheti për vitin 2027, Hamza tha se do të dëshironte që shifrat e paraqitura të dëshmonin se bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor.
Megjithatë, ai vlerësoi se shifrat nuk e mbështesin një konstatim të tillë.
“Çdo gjë që është e mirë në kuadër të buxhetit, e vlerësoj edhe është për me u vlerësu. Kisha pas dëshirë që shifrat, numrat e prezantuara në këtë buxhet me më dhanë mundësi me konstatu që ky është një buxhet zhvillimor. Po e them që ky është një buxhet që nuk garanton as mirëmbajtje”, tha Hamza.
Ai u ndal edhe te rritja ekonomike, duke theksuar se norma prej 3.8 për qind është e pamjaftueshme për t’i adresuar sfidat me të cilat përballet ekonomia e Kosovës.
“Rritja ekonomike, sado që është pozitive, nuk kemi me u referu qysh dojmë, po është 3.8% rritja ekonomike reale për vitin 2025 e që pritet afërsisht edhe në këtë vit tjetër aty. Një rritje ekonomike prej 3.8%, kur e marrim bazën e ekonomisë së Kosovës, është e pamjaftueshme me i adresu sfidat e ekonomisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Hamza përmendi deficitin e lartë tregtar, përkeqësimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe inflacionin, për të cilin tha se Kosova ka normën më të lartë në krahasim me vendet e rajonit.
“Ekonomia e Kosovës ka sfida të thella. E para, e kemi deficitin e lartë tregtar. E dyta, kemi përkeqësim të deficitit të llogarisë rrjedhëse. Dhe kemi normën më të lartë të inflacionit krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Po, Kosova e ka adoptu euron në mënyrë të njëanshme. Po njëjtë e ka bo dhe Mali i Zi. Po nuk e ka njëjtë normën e inflacionit. Nuk e kanë as vendet tjera të Ballkanit Perëndimor e nuk e kanë as vendet e Bashkimit Evropian”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Në fjalën e tij, Hamza theksoi se vlerësimi i gjendjes ekonomike nuk duhet të bëhet vetëm duke u bazuar në shumën nominale të parave, por edhe në fuqinë e tyre blerëse dhe ndikimin në standardin e jetesës.
“Kur po flasim për para, duhet me pas një dallim substancial. Vlerën për para: në çfarë gjëra munesh me ble sot me ato para e sa ke mujt me ble para pesë vjetëve edhe para dhjetë vjetëve. Standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës po përkeqësohet”, tha Hamza.
Ai ngriti shqetësimin edhe për rritjen e normave të interesit dhe shtrenjtimin e kredive, duke thënë se kjo gjendje nuk po u ndihmon bizneseve. Sipas tij, struktura e kërkesës për kredi ka ndryshuar, pasi tashmë dominojnë kreditë për ekonomitë familjare.
“Normat e interesit janë rrit. Norma e peshuar e interesit është 6.9%. Kreditja është shtrenjtu. Në këtë formë nuk i ndihmohet bizneset. Nëse shikojmë strukturën e kredive, në të kaluarën ka dominu më shumë kërkesa për kredi nga bizneset. Sot dominon kërkesa për kredi nga ekonomitë familjare. Pse? Ekonomive familjare ju mungon likuiditeti”, theksoi ai.
Duke folur për importet dhe eksportet, Hamza tha se rritja e importeve duhet të analizohet edhe në raport me vëllimin e tyre dhe jo vetëm me vlerën monetare. Sipas tij, rritja në vlerë është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve dhe inflacioni, ndërsa të dhënat zyrtare, siç tha ai, tregojnë rënie të importeve në vëllim.
“Çka është me rëndësi? U fol për rritjen e importeve, u fol edhe për rritjen e eksporteve. Po rritja e importeve ka ndodh në vlerë. Ka ndodh në vlerë si rezultat i rritjes së çmimeve, i rritjes së inflacionit. Po treguesi më real a po zhvillohet ekonomia është a janë rrit importet në vëllim. E nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe institucioneve tjera, del që kemi pas rënie të importeve në vëllim. Nuk munet dikush me arsyetu që ka zhvillim të qëndrueshëm, të hafshëm ekonomik, kur kemi rënie të importeve në vëllim”, deklaroi Hamza.
Një pjesë të kritikave deputeti i PDK-së ia kushtoi edhe strukturës së buxhetit, veçanërisht pjesëmarrjes së investimeve kapitale në totalin e shpenzimeve. Ai tha se kjo pjesëmarrje ka rënë nga rreth 30 për qind në të kaluarën në 25 për qind në buxhetin e propozuar për vitin 2027.
“Struktura e buxhetit është tu u dëmtu. Ky është fakt. Në të kaluarën pjesëmarrja e investimeve kapitale në totalin e shpenzimeve të buxhetit ka qenë rreth 30%. Sot në buxhetin e propozuar është 25%. Edhe kjo është në planifikim. Në realizim unë ju siguroj që do të jetë edhe më e ultë”, tha ai.
Hamza kritikoi edhe mënyrën e paraqitjes së realizimit të investimeve kapitale, duke pretenduar se një pjesë e mjeteve të regjistruara si investime për shkolla, çerdhe e rrugë, në fakt po përdoren për pagesën e pagave, si rezultat i vendimeve gjyqësore dhe urdhrave përmbarimorë.
“Edhe kur jemi te realizimi, është një farë iluzioni optik këtu. Del që janë investime kapitale. Del që është realizu një shkollë apo një çerdhe. Qoftë të komunave, e sidomos të komunave. Mirëpo unë ju siguroj që për shkak të vendimeve gjyqësore dhe urdhër përmbarimor, ato figurojnë çerdhe, figurojnë shkolla, figurojnë rrugë, po në fakt janë te pagat. Sepse janë realizu pagat prej investimeve kapitale”, u shpreh ai.
Hamza tha se këto kontrata lidhen edhe me qeveritë e kaluara, por theksoi se për këtë çështje kishte paralajmëruar edhe më herët.
“Këtu dikush mundet me më thanë, e them unë, që është si rezultat i qeverive të kaluara. Po, po. Këto kontrata janë shkru edhe ju kam thanë edhe atëherë. Edhe atëherë ju kam thanë. Nuk kanë kalu nga Ministria e Financave.”, tha ai.
Burimi: Insajderi





