Nico Paz ka vendosur të qëndrojë te Como edhe këtë sezon, duke refuzuar mundësinë e rikthimit te Real Madridi, pasi ka pasur frikë se nuk do të kishte hapësirën e nevojshme për të luajtur rregullisht.

Gazetarja e “Radio Marca” Tenerife, Selene Melian, ka zbuluar se vendimi për të vazhduar aventurën në Itali ishte personalisht i mesfushorit argjentinas. Ajo bëri të ditur se 21-vjeçari preferoi të vazhdojë zhvillimin nën drejtimin e Cesc Fabregasit, ku ka garanci për një rol të rëndësishëm në skuadër.
“Informacioni që kemi dhe që e di personalisht është se Nico Paz ishte ai që vendosi të qëndronte te Como këtë vit”, deklaroi Melian në emisionin “La Tribu”.
“Unë e njoh Nico Pazin dhe familjen e tij, prandaj e di për çfarë po flas”.
Sipas Melian, konkurrenca e madhe në mesfushën e Real Madridit do ta vështirësonte përfshirjen e rregullt të argjentinasit, ndërsa te Como ai mund të vazhdojë të jetë një prej lojtarëve kryesorë.
“Natyrisht që Nico Paz dëshiron të luajë një ditë për Real Madridin, por këtë vit ai kishte garanci absolute se do të luante rregullisht me Cesc Fabregasin”, përfundoi ajo.
Ajo foli edhe për vendimin e Pazit për të përfaqësuar Argjentinën, e jo Spanjën. Gazetarja rikujtoi një intervistë të babait të tij për Radio MARCA Tenerife, kur Javier Mascherano e kishte ftuar për herë të parë mesfushorin në Kombëtaren U20 të Argjentinës.
Sipas saj, Federata Spanjolle e Futbollit nuk kishte kontaktuar asnjëherë me lojtarin, prandaj ai nuk kishte pasur nevojë të zgjidhte mes dy përfaqësueseve.
“Federata nuk e kishte kontaktuar kurrë Nico Pazin, kështu që ai asnjëherë nuk është dashur të zgjedhë mes Spanjës dhe Argjentinës”./Telegrafi/





