Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar 17 nëntorin, në orën 10:00, për shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Pesë të akuzuarit përballen me akuza për pengim të drejtësisë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa ndaj Thaçit rëndojnë edhe akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024 dhe të bërë publike më 6 dhjetor të po atij viti, Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, Thaçi u ka dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.
Aktakuza pretendon gjithashtu se Thaçi, së bashku me të akuzuarit dhe persona të tjerë, ka tentuar të ndikojë në dëshmitë e disa dëshmitarëve, me qëllim pengimin e zyrtarëve të DHSK-së në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Sa i përket Hajredin Kuçit, Prokuroria pretendon se Thaçi ishte marrë vesh me të që të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në kundërshtim me një urdhër të gjykatës. Sipas aktakuzës, Kuçi ka kontaktuar edhe një dëshmitar tjetër me iniciativën e tij.
Në bazë të aktakuzës, Thaçi përballet me tri akuza për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen secili për nga një vepër të tentativës së pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe nga një vepër të mosbindjes ndaj gjykatës. Ndërkaq, ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Gjykimi nisi më 27 shkurt 2026, ndërsa paraqitja e provave përfundoi më 5 gusht. Gjykatësi i Vetëm për Gjykimin e Çështjes e shpalli çështjen të mbyllur më 14 shtator, pas paraqitjes së deklaratave përmbyllëse.
Isni Kilaj u lirua me kusht më 3 dhjetor 2025, ndërsa Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 3 shkurt 2026.
Burimi: Dukagjini




