Universiteti i Prishtinës do ta rishqyrtojë procesin e përzgjedhjes së Fahredin Veselajt profesor asistent në Fakultetin e Mjekësisë, pas dy aktgjykimeve që anuluan vendimin e emërimit të tij të vitit 2023.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 korrik 2025, e anuloi vendimin e Senatit të UP-së, ndërsa Gjykata e Apelit e vërtetoi këtë aktgjykim më 29 korrik 2026.
Sipas avokates së kundërkandidatit Valon Zejnullahu, Liriona Morina, shkak i kontestit ishte pranimi dhe vlerësimi me 14 pikë i dy punimeve shkencore të Veselajt që nuk ishin publikuar në kohën e aplikimit, njëri prej të cilëve, sipas saj, madje ishte dorëzuar pas shpalljes së konkursit.
Zejnullahu, i cili mori një pikë më pak se Veselaj, e dërgoi çështjen në gjykatë. Gjykata e Apelit e obligoi UP-në që konkursin ta vazhdojë nga faza ku është konstatuar shkelja, duke i rishqyrtuar dy kandidatët në bazë të dokumenteve të dorëzuara në konkursin e vitit 2023.
Në mbledhjen e 30 shtatorit, Senati vendosi që dosjet e të dy kandidatëve t’i dërgohen trupës këshillëdhënëse për vlerësim.
Rektori Arben Hajrullahu tha se, nëse konstatohet vlerësim i gabuar, Senati do ta shfuqizojë vendimin për emërimin e Veselajt. Megjithatë, votimi për anulimin e vendimit të vitit 2023 është shtyrë për mbledhjen e radhës.
Ndërkohë, Fakulteti i Mjekësisë po përgatit kërkesën për revizion në Gjykatën Supreme.
Kronika nga Kiks Kosova:




