Galatasaray po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit anësor të Al-Nassr, Sadio Mane, gjatë afatit kalimtar të janarit, në një lëvizje që mund të jetë ndër më befasueset e afatit kalimtar dimëror.

Sipas mediumit turk A Spor, gjiganti nga Stambolli ka nisur të shqyrtojë mundësinë e afrimit të reprezentuesit senegalez, teksa po kërkon një zgjidhje për Leroy Sane, i cili nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë.
Nga ana tjetër, e ardhmja e Manes te Al-Nassr duket gjithnjë e më e paqartë. Klubi saudit nuk është i interesuar t’ia vazhdojë kontratën 34-vjeçarit, e cila skadon në fund të këtij sezoni.
Ish-ylli i Liverpoolit thuhet se ka shprehur gatishmërinë për të pranuar një ulje prej 60 për qind të pagës dhe për të negociuar një marrëveshje afatshkurtër, por kjo ofertë nuk e ka bindur drejtuesit e Al-Nassr.
Kampionët në fuqi të Arabisë Saudite janë të hapur për shitjen e tij që në janar, ndërsa vlera e kartonit të senegalezit raportohet të jetë rreth gjashtë milionë euro.
Megjithatë, pengesa kryesore për një rikthim të mundshëm në futbollin evropian mbetet paga e tij. Mane aktualisht përfiton rreth 40 milionë euro në vit te Al-Nassr dhe do të duhej të pranonte një reduktim të konsiderueshëm të saj për të realizuar transferimin.
Në aspektin sportiv, 34-vjeçari vazhdon të kontribuojë me fanellën e skuadrës saudite. Në 15 paraqitje gjatë këtij sezoni, ai ka shënuar tre gola dhe ka regjistruar tetë asistime.
Galatasaray mund të jetë destinacioni i radhës për Manen, nëse palët arrijnë një marrëveshje për kushtet financiare të transferimit. /Telegrafi/





