Një gazetar argjentinas është bërë viral në rrjetet sociale pasi ndërpreu raportimin e drejtpërdrejtë për të shpëtuar një qen që po rrëmbehej nga rrjedha e ujit gjatë përmbytjeve në rajonin e Çakos, në Argjentinë.

Alejandro Pueblas po raportonte për programin América Noticias në qytetin Puerto Vilelas, kur vuri re qenin që po luftonte me rrymën e fortë të ujit.
Pa hezituar, ai dhe kameramani Valentin Correa u hodhën në aksion për ta shpëtuar kafshën, ndërsa gazetari përfundoi edhe vetë në ujë.
Pueblas arriti ta kapte qenin, të cilit më vonë ia vunë emrin Bartolito.
Historia pati një përfundim të lumtur, pasi qeni u ribashkua me familjen e tij dhe tani është shëndoshë e mirë.
Gazetari tha se në atë moment e vetmja gjë e rëndësishme ishte të shpëtonin jetën e tij. /Telegrafi/





