Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po vazhdojnë bashkëpunimin bilateral, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e koncepteve të reja ushtarake.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, delegacioni i Institutit të Kërkimeve Shkencore të FARSH-së realizoi një vizitë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, transmeton Klankosova.tv.
Delegacioni, i kryesuar nga gjeneral brigade Fatmir Neziraj, u prit nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, si dhe përfaqësues të Qendrës së Doktrinës.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e koncepteve dhe doktrinës ushtarake, si dhe avancimin e inovacionit në fushën e mbrojtjes.
Në kuadër të vizitës, delegacioni nga Shqipëria bëri homazhe edhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe në varrezat e dëshmorëve në Koshare, në nderim të të rënëve për lirinë e Kosovës.




