Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të katër punëtorëve, për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, tri nga shkeljet e evidentuara lidhen me fjetjen në vendin e punës gjatë ndërrimit të tretë.
“Me datën 18.11.2026, Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A. ka nxjerrë Vendimin për largimin e përkohshëm nga puna të: z. I. B., punonjës i Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg; z. M. S., punonjës i Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg; z. M. Sh., punonjës i Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg; dhe z. P. M., punonjës i Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg”, thuhet në njoftim.
Sipas ndërmarrjes, vendimi është marrë pas konstatimit të shkeljeve të rënda të disiplinës në punë gjatë ndërrimit të tretë.
Përveç fjetjes në vendin e punës, shkeljet e evidentuara përfshijnë edhe raportimin e pasaktë të gjendjes së punonjësve dhe moskryerjen e detyrave mbikëqyrëse.
Ndërkaq, çështja u është përcjellë Komisionit Disiplinor për shqyrtim dhe vendimmarrje, në përputhje me rregulloret e Trepça Sh.A.
Burimi: Insajderi





