Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, është shprehur i zhgënjyer me barazimin në ndeshjen e fundit, pasi synimi i “Dardanëve” ishte të merrnin tri pikët.

Në një prononcim për “Klan Kosova”, Asllani foli për paraqitjen e skuadrës, mungesën e rasteve të shumta për gol dhe pritshmëritë për përballjen e ardhshme ndaj Irlandës.
“Besoj që të gjithë kemi dashur t’i marrim tri pikët. Nuk shkoi ashtu. Jemi të dëshpëruar që nuk kemi mundur ta fitojmë lojën, por pas dy ditëve na pret loja me Irlandën”, deklaroi Asllani.
Ai e cilësoi ndeshjen si të vështirë, duke theksuar se të dyja skuadrave u mungoi konkretizimi në fazën sulmuese.
“Lojë e vështirë, të dy ekipet nuk kanë pasur shumë mundësi për gol. Topi i fundit para goditjes na ka munguar”, u shpreh sulmuesi.
Asllani foli edhe për vështirësinë e ndeshjeve ndërkombëtare, duke thënë se çdo kundërshtar jep maksimumin për shtetin e tij.
Ndërsa, kur u pyet për synimet e Kosovës në ndeshjen ndaj Irlandës, ai ishte i prerë: kërkohen tri pikët.
“Tri pikë. Duam ta fitojmë lojën, pastaj se ku mbesim në tabelë do t’ia lëmë kohës”, tha Asllani.
Kosova aktualisht ka gjashtë pikë në grupin B3, ndërsa ndeshjen e radhës ndaj Irlandës do ta zhvillojë në Dublin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





