Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, sonte dhe nesër do të prezantohen para publikut polak me dy koncerte në skenën e Filharmonisë së Krakowit, me një program të pasur, që ndërthur veprat e kompozitorëve të shquar polakë dhe shqiptarë nga Kosova.

Në program janë “Ciaccona” nga “Requiemi polak” i Krzysztof Pendereckit, kushtuar Papa Gjon Palit II, si dhe oratoriumi “Homagium Matri Teresiae” i kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, nxënës i Pendereckit.
Si solistë do të interpretojnë sopranoja Adelina Paloja, mezzosopranoja Ivana Hoxha, tenori Piotr Kalina dhe basi-baritoni Arkadiusz Jakus.
Programi përfshinë edhe poemën simfonike “Skënderbeu” të kompozitorit Fahri Beqiri dhe “Koncerti për violinë nr. 1” i Karol Szymanowskit, me violinisten Joanna Konarzewska si soliste.
Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë së Kosovës do t’i drejtojë dirigjenti Wojciech Czepiel.
Këto dy mbrëmje koncertale, përfaqësojnë një mundësi të veçantë për shkëmbim artistik dhe bashkëpunim kulturor ndërmjet Kosovës dhe Polonisë./KlanKosova.tv




