Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka ngritur dyshime për ndikimin e interesave ruse në protestat e fundit në Shqipëri, duke iu referuar reagimit të ideologut rus Aleksandër Dugin, i cili i cilësoi shqiptarët si një komb që “po zgjohet”.
Në një reagim në Facebook, me titull “’Zgjimi’ i Aleksandër Duginit”, Fetoshi pretendon se ky mesazh mund të shërbejë për nxitjen e narrativave anti-perëndimore dhe për largimin e Shqipërisë nga orientimi euroatlantik.

Ai ka lidhur këtë deklaratë me qëndrimet e Moskës për Kosovën dhe me deklaratat për kontaktet mes studentëve organizatorë të protestave në Shqipëri dhe kolegëve të tyre në Serbi.
“Në kontekstin e interesave revizioniste të boshtit anti-perëndimor, “zgjimi” shqiptar me dhunë, anarki e destabilizim, nënkupton sabotimin e përparimit të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar ai.
Fetoshi ka vënë në pikëpyetje karakterin autentik të protestave dhe ka thënë se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mund të jetë një mënyrë për të shtensionuar situatën dhe për të neutralizuar rrezikun e destabilizimit.
Burimi: Dukagjini




