FBI ka nisur hetimet për një shkelje të dyshuar të sigurisë në bazën e saj të të dhënave kriminale, e cila përdoret nga autoritetet amerikane për shkëmbimin e informacioneve të ndjeshme.

Sipas mediave amerikane, të cilat u referohen dy burimeve të informuara për rastin, incidenti ka prekur potencialisht Qendrën Kombëtare të Informacionit Kriminal (NCIC), një sistem që përdoret nga agjencitë federale dhe policia lokale për të kontrolluar urdhërarrestet dhe të kaluarën kriminale të personave.
Hetimet vijnë pas një sërë ndërprerjesh teknologjike që javën e kaluar prekën sektorin bankar, kontrollin e trafikut ajror dhe shërbime të tjera në SHBA.
Megjithëse autoritetet kanë deklaruar se këto ndërprerje nuk ishin rezultat i sulmeve kibernetike, incidentet kanë nxitur shqetësime dhe kërkesa për sqarime nga ligjvënësit amerikanë.
Ndërkohë, këtë javë presidenti Donald Trump shkarkoi drejtorin kombëtar të sigurisë kibernetike në Shtëpinë e Bardhë, Sean Cairncross, duke deklaruar se ai nuk ishte mjaftueshëm i mirë për detyrën.
Ky nuk është incidenti i parë i dyshuar kibernetik që përfshin FBI-në.
Në shtator, agjencia njoftoi se po hetonte një sulm të pretenduar nga grupi i hakerëve ShinyHunters, i cili deklaroi se kishte vjedhur informacione të ndjeshme për rreth 38 mijë punonjës të FBI-së.
Një ish-agjent i FBI-së kishte paralajmëruar atëkohë se publikimi i mundshëm i të dhënave personale mund të rrezikonte sigurinë e punonjësve të agjencisë.
Në një zhvillim tjetër, NBC raportoi për një sulm të dyshuar kibernetik ndaj Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA).
Sipas raportimit, punonjësit ishin njoftuar të enjten se sistemi i pagesave për fermerët ishte vënë në shënjestër.
Ende nuk është konfirmuar nëse incidentet kanë ndonjë lidhje me njëri-tjetrin. /Telegrafi/





