Edicioni i nëntë i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, sonte mirëpret sopranon e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho e cila do të shoqërohet në piano nga pianistja e njohur Lule Elezi, ngjarje kjo që tash e nëntë vjet organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.
Edicioni i sivjetmë është konceptuar në dy pjesë. Në pjesën e parë do të zhvillohet bashkëbisedimi me Ermonela Jahon, një format tashmë i identifikueshëm i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet performancës artistike të sopranos së njohur. Krahas sopranos së njohur, në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe talentja e re Anna Krasniqi, duke vazhduar kështu praktikën e KultPlus për mbështetjen, promovimin dhe prezantimin e artistëve të rinj.
Përgjatë nëntë vjetëve, “Ta Zbardhi Ftyrën” ka sjellë figura të rëndësishme të artit shqiptar, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, Evropë dhe më gjerë. Në edicionet e kaluara, në këtë mbrëmje artistike janë prezantuar emra të njohur të skenës së artit, përfshirë Sislej Xhafën, Imer Kutllovcin, Flaka Gorancin, Erza Muqollin, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketën, Elbenita Kajtazin, Enon Pecin dhe Blenard Azizajn.
Mbrëmja artistike mbahet, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. /KlanKosova.tv




