Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, më 11 nëntor, është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë një shtetas kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale të dhunimit.
Sipas Policisë, ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

“Më datën 11.11.2026 është ekstraduar nga Zvicra për në Kosovë shtetasi i Kosovës, pasi i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, pasi ishte përfshirë në veprën penale të dhunimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar.
Burimi: RTKLive





