Bayern Munichu nuk është i interesuar për transferimin e mbrojtësit të Real Madridit, Trent Alexander-Arnold, pavarësisht spekulimeve të fundit që e lidhnin anglezin me klubin gjerman.

28-vjeçari ka regjistruar 44 paraqitje me fanellën e “Los Blancos”, që prej transferimit nga Liverpooli verën e kaluar, por deri më tani nuk ka arritur ta përsërisë formën që kishte treguar në futbollin anglez.
Madje, Alexander-Arnold është vërshëllyer edhe nga tifozët e vet në ndeshjen e fundit, ku Real Madridi përmbysi rezultatin për të fituar 2-1 ndaj Celta Vigos.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Emile Heskey, kishte sugjeruar se Bayerni mund të ishte një destinacion i shkëlqyer për mbrojtësin anglez, ndonëse do të dëshironte ta shihte atë duke u rikthyer në Anfield.
Megjithatë, gazetari i njohur Christian Falk, duke raportuar për CFBayern Insider, ka mohuar interesimin e kampionit gjerman për shërbimet e tij.
“Nuk është e vërtetë që Bayern Munichu është i interesuar për mbrojtësin e krahut të Real Madridit, Trent Alexander-Arnold. Bayerni po kërkon një lojtar në këtë pozitë dhe emra si Givairo Read vazhdojnë të jenë në listën e tyre.
Vetëm duke parë profilin e Readit mund të kuptoni se klubi nuk po kërkon një futbollist si Alexander-Arnold. Gjithashtu, nuk jam i sigurt nëse Vincent Kompany do ta pëlqente profilin e anglezit, pasi ai nuk është një mbrojtës i djathtë tipik për Bayern Munichun.
Ai gjithashtu nuk është më futbollisti më i ri. Për të qenë të sinqertë, 28-vjeçari nuk e ka dëshmuar veten te Real Madridi. Duhet të kemi shumë respekt për futbollistët anglezë që provojnë veten në një shtet tjetër, por jo të gjithë arrijnë sukses pas largimit nga Britania e Madhe dhe jo çdo anglez është Harry Kane.
Prandaj, nuk mendoj se Alexander-Arnold do të jetë një opsion real për Bayernin gjatë verës”, ka deklaruar Falk./Telegrafi/





