Një përleshje mes të miturve në Lipjan ka marrë përmasa alarmante, pasi njëri prej tyre është plagosur me thikë dhe ka përfunduar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK. Katër të mitur janë ndaluar nga Policia, ndërsa ndaj njërit prej tyre kanë nisur hetimet për vrasje në tentativë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 23 nëntor, rreth orës 10:30, në rrugën “Avdi Kelmendi” në Lipjan, ku disa të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima është A.S., rreth 16 vjeç, ndërsa katër të dyshuarit janë E.B., M.H., E.LL. dhe S.S., të moshave 14 deri në 16 vjeç.
Gjatë përleshjes, A.S. kishte pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë dhe ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
I mituri është pranuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ndërsa për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk ka qenë në gjendje të intervistohej nga hetuesit.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka sekuestruar një thikë, me të cilën dyshohet se janë shkaktuar lëndimet e viktimës.
Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu një kamerë sigurie që kishte regjistruar pamje të përleshjes.
Të katër të miturit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit për të mitur, ndaj E.LL. është iniciuar rast penal për veprën “Vrasja në tentativë”, ndërsa tre të miturit e tjerë, E.B., M.H. dhe S.S., po hetohen për “Pjesëmarrje në rrahje”.
Me aktvendim të Prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar për 24 orë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





