Një mosmarrëveshje familjare në Fushë Kosovë dyshohet se ka përfunduar me dhunë ndaj dy grave, nënë e bijë. Një burrë dyshohet se e ka shtyrë bashkëshorten e tij dhe më pas e ka kapur për fyti vjehrrën, ndërsa të dyja gratë janë paraqitur në Polici për ta denoncuar rastin, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 18 nëntor, rreth orës 21:00, në një shtëpi në lagjen 28 të Fushë Kosovës.
Viktimat, të identifikuara me inicialet M.B., rreth 49 vjeçe, dhe V.Sh., rreth 28 vjeçe, kanë deklaruar se fillimisht kishte pasur një mosmarrëveshje me bashkëshortin e së resë, përkatësisht dhëndrin e gruas tjetër.
Sipas denoncimit, gjatë konfliktit i dyshuari e kishte shtyrë bashkëshorten, ndërsa vjehrrën e kishte kapur për fyti.
Pas incidentit, nënë e bijë janë paraqitur së bashku në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, ku rreth mesnatës kanë raportuar dhunën e dyshuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i denoncuar është identifikuar me inicialet Sh.S., rreth 30 vjeç.
Pas pranimit të denoncimit, Policia ka kontaktuar Prokurorin e Shtetit përgjegjës për rastet e dhunës në familje.
Me udhëzim të Prokurorisë, është iniciuar rasti për veprën penale “Dhuna në familje” dhe është kërkuar intervistimi i të dyshuarit.
Nga informacionet e deritanishme nuk konfirmohet nëse i dyshuari është intervistuar apo nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë ndalimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





