Vlora Mjekiqi-Kabashi, asambleiste e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Obiliqit, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që ka mbajtur në këtë parti.
Mjekiqi-Kabashi ka bërë të ditur se do ta vazhdojë mandatin e saj si asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka theksuar se përveç pozitës së asambleistes, ka qenë edhe kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Obiliq dhe delegate në Kuvendin Zgjedhor të partisë.
Ajo ka thënë se vendimi lidhet me qëndrimin e saj ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mospajtimin me qëndrimin që, sipas saj, ka mbajtur LDK-ja.
Asambleisti i LDK-së në Obiliq jep dorëheqje, thotë se nuk pajtohet me qëndrimin e partisë për Hagën

“E vetëdishme se Lufta e UÇK-së ishte Luftë për Liri e mbështetur edhe nga SHBA dhe NATO-ja, dhe e bindur se Liria është më shumë se çdo përkatësi partiake. Pasi LDK-ja nuk e mbështeti këtë parim themelor se Liria është mbi çdo parti, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që kam në LDK”, ka shkruar ajo.
Mjekiqi-Kabashi ka deklaruar se nga tani do të veprojë si asambleiste e pavarur.
“Prandaj nga sot e tutje jam asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit!”, ka shkruar ajo.
Në fund, Mjekiqi-Kabashi ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë. /Telegrafi/




