Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë e Komunës së Gjilanit ka publikuar ftesën për aplikim për përfitimin e katër viçave, në kuadër të mbështetjes për fermerët dhe përmirësimit të racës së gjedheve.
Sipas njoftimit zyrtar, iniciativa realizohet në bashkëpunim me SH.M.A.T. “Arbëria”, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit, me qëllim të mbarështimit dhe përmirësimit racor.
Katër viçat në dispozicion
Në listën e publikuar janë përfshirë katër viça, me këto të dhëna:
- RKS 1-6-174901 – femër, e lindur më 14.07.2025;
- RKS 1-6-177486 – femër, e lindur më 15.07.2026;
- RKS 1-6-177487 – mashkull, i lindur më 05.08.2026;
- RKS 1-6-177488 – femër, e lindur më 15.09.2026.
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë banorët e Komunës së Gjilanit që i plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë.
Cilat janë kriteret?
Sipas ftesës publike, për të përfituar viç të gjinisë femërore, fermeri duhet të posedojë 1 deri në 4 krerë gjedhe, ndërsa për viç mashkull duhet të posedojë së paku 10 lopë qumështore.
Ndër kriteret e tjera janë:
- fermeri mund të aplikojë vetëm për një krerë;
- përparësi kanë fermerët që jetojnë në viset kodrinoro-malore dhe që nuk kanë qenë përfitues më parë;
- në formular duhet të shënohet kategoria për të cilën aplikohet (F-M);
- fermeri duhet të ketë stallë dhe hapësirë të mjaftueshme për vendosjen dhe ushqimin e kafshës;
- përfituesi nuk ka të drejtë ta tjetërsojë, përkatësisht ta shesë kafshën, për një periudhë prej tri vitesh.
Afati i aplikimit deri më 16 tetor
Aplikimi bëhet në Zyrën për Shërbim të Qytetarëve në Gjilan, ndërsa afati i përcaktuar është nga 6 tetori deri më 16 tetor 2026.
Aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, përfshirë kopjen e letërnjoftimit të Republikës së Kosovës, regjistrin e kafshëve nga ambulanta veterinare në emër të aplikantit ose aplikantes, si dhe dëshminë për afërsi familjare me pronarin e tokës ose dokumentacionin për pronësinë e tokës. Në rastet kur prona nuk është e rregulluar, kërkohet edhe deklaratë e noterizuar.
Komuna e Gjilanit u ka bërë thirrje fermerëve që i plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar. /Telegrafi/




