Një pyetje që shqetëson shumë punëtorë të rinj në Zvicër është nëse paga rritet automatikisht çdo vit.
Dhe përgjigjja është JO, rritja e pagës nuk është e garantuar me ligj dhe zakonisht varet nga punëdhënësi, kontrata e punës dhe sektori ku punon.
Një punëtor i ri në Zvicër ka ngritur pikërisht këtë pyetje, pasi ka nisur punën për herë të parë në një kompani zvicerane, ai dëshiron të dijë nëse përvoja e fituar me kalimin e viteve nënkupton automatikisht edhe pagë më të lartë.
Në Zvicër nuk ekziston një rregull i përgjithshëm që i detyron punëdhënësit ta rrisin pagën çdo vit.
Kushtet kryesore të punës, përfshirë pagën, përcaktohen në kontratën mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Kjo do të thotë se një punonjës mund të mbetet me të njëjtën pagë për disa vite, nëse nuk ka marrëveshje tjetër me punëdhënësin.
Përvoja mund të ndikojë në pagë
Megjithatë, përvoja profesionale mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e pagës.
Në praktikë, rritja mund të vijë përmes një vlerësimi vjetor, rritjes së përgjegjësive, promovimit, ndryshimit të pozitës ose negociimit të drejtpërdrejtë me punëdhënësin.
Në disa sektorë mund të ekzistojnë edhe marrëveshje kolektive të punës, të cilat përcaktojnë nivele pagash dhe kushte të caktuara për punonjësit.
Prandaj, një rritje vjetore nuk duhet të konsiderohet automatike.
Për një person që sapo ka nisur punën në Zvicër, është e rëndësishme të kontrollojë kontratën e punës dhe të informohet nëse kompania ka një sistem të përcaktuar për rritjen e pagave.
Nëse rritja nuk është e parashikuar në kontratë apo në marrëveshjet që zbatohen në sektorin përkatës, punonjësi mund të negociojë vetë me punëdhënësin, sidomos kur ka fituar përvojë, ka marrë më shumë përgjegjësi ose ka përmirësuar performancën në punë./Telegrafi/




