Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Ç. Zh., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Sipas njoftimit të gjykatës, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, te “R. M. T.”.
I pandehuri, i maskuar, dyshohet se ka hyrë në lokal, ku punëtorja M. F. ishte duke punuar, dhe ka nxjerrë një thikë. Nën kërcënimin se do ta sulmonte, ai e ka urdhëruar punëtoren që t’ia japë të gjitha paratë.
“…nën kërcënimin e thikës, e urdhëron punëtoren që t’ia japë të gjitha të hollat. Mirëpo, kjo e fundit, duke qenë e frikësuar dhe në panik, pa ditur se si të reagojë, i pandehuri e hap dollapin e vendit ku ndodheshin paratë, i merr të gjitha të hollat në shumën prej rreth 8.000 €. Më pas, i drejtohet punëtores duke i thënë që të mos e shikojë në fytyrë dhe del nga lokali, nga ku, me të hollat e grabitura, largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Me këtë vendim, i pandehurit Ç. Zh., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 15 tetor 2026 deri më 15 nëntor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”./Klankosova.tv




