Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën “Petrela”, në Bathore të Kamëz.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes shtetasit N. M., rreth 40 vjeç, dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I.

Gjatë konfliktit, N. M. dyshohet se ka përdorur armën e zjarrit, duke vrarë S. I., rreth 30 vjeç, dhe duke plagosur dy vëllezërit e tij, N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç.
Të plagosurit u transportuan në spital, ku 48-vjeçari ndërroi jetë, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, raporton TCH.
Policia bëri të ditur se i dyshuari, i cili është punonjës i Policisë Ushtarake, u kap dhe u arrestua pas veprimeve të shpejta policore.
Gjatë veprimeve hetimore, u sekuestrua edhe pistoleta që dyshohet se u përdor në krim.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.
Burimi: Dukagjini




