Dy raketa dhe një dron rus ranë në Poloni – gjithçka dihet, që nga reagimet dhe mobilizimi i aeroplanëve luftarakë

Dy raketa dhe një dron rus ranë në Poloni – gjithçka dihet, që nga reagimet dhe mobilizimi i aeroplanëve luftarakë

Dy raketa dhe një dron rus ranë në Poloni – gjithçka dihet, që nga reagimet dhe mobilizimi i aeroplanëve luftarakë

Një incident serioz që ka rritur tensionet në krahun lindor të NATO-s është regjistruar më 20 nëntor në Poloni, ku dy raketa dhe një dron rus hynë në hapësirën ajrore të vendit dhe ranë në territorin e tij, gjatë një sulmi masiv të Rusisë ndaj Ukrainës.

Sponsor 3M Express

Fillimisht u raportua pas një shpërthimi pranë fshatit Chmielek, në rajonin Biłgoraj të Polonisë lindore, duke ngritur dyshimet se vendi mund të ishte goditur nga një raketë ose dron i armatosur.

Dhe pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale dukeshin se tregonin një shpërthim rreth orës 06:35 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Por më vonë, autoritetet polake konfirmuan se në territorin e vendit kishin rënë gjithsej tri objekte, dy raketa dhe një dron.

Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se njëra prej raketave ishte e tipit Kh-101, raketë ruse që përdoret në sulmet ndaj Ukrainës.

Ajo ra në një fushë pranë fshatit Nowy Lipowiec, rreth 60 kilometra larg kufirit me Ukrainën dhe disa qindra metra larg objekteve të banimit.

Raketa e dytë ra në qytetin Rudnik nad Sanem, ndërsa objekti i tretë, për të cilin dyshohet se ishte dron me motor reaktiv, goditi fshatin Mołodycz.

Të gjitha lokacionet ndodhen në lindje dhe juglindje të Polonisë, pranë kufirit ukrainas.

Sipas autoriteteve, nuk pati persona të lënduar dhe as dëme në infrastrukturën kritike të vendit.

NATO ngre në ajër aeroplanët luftarakë

Pas incidentit, Polonia aktivizoi mekanizmat e saj të mbrojtjes, duke ngritur në ajër aeroplanët luftarakë F-16.

Në operacion morën pjesë edhe aeroplanë suedezë Gripen, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore, përfshirë ato Patriot, u vunë në gatishmëri të lartë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi incidentin si serioz dhe të rrezikshëm, duke bërë të ditur se kishte biseduar me kryeministrin polak, Donald Tusk, për situatën.

“Ky incident është qartazi i rrezikshëm – një pasojë e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, deklaroi Rutte.

Ai dënoi sulmet ruse dhe siguroi se NATO qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë, duke theksuar se Aleanca do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj për të parandaluar kërcënimet dhe për të mbrojtur vendet anëtare.

Trump: Putini i dërgoi raketat dhe dronët gabimisht

Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi ndaj incidentit duke thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte dërguar dronë dhe disa raketa në Poloni, por sipas tij, kjo kishte ndodhur gabimisht.

“Putini ka dërguar dronë në Poloni dhe disa raketa të vogla, gabimisht”, deklaroi Trump në një prononcim për Fox News.

Deklarata e tij dallon nga qëndrimi i autoriteteve polake, të cilat e kanë cilësuar incidentin si një tjetër provokim rus dhe nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ai të ketë qenë i qëllimshëm.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se vendi i tij ka vërtetuar se të tria objektet vinin nga Rusia dhe se koha e këtij veprimi mund të mos ketë qenë e rastësishme.

NATO thërret mbledhje për të diskutuar incidentin

Pas shkeljes së hapësirës ajrore polake, Këshilli i Atlantikut të Veriut i NATO-s ka paralajmëruar mbajtjen e një mbledhjeje të hënën, për të diskutuar ngjarjen dhe pasojat e saj për sigurinë e Aleancës.

Sipas një zyrtari të NATO-s, takimi do të zhvillohet në kuadër të konsultimeve të rregullta mes vendeve anëtare.

Një tjetër element që e bën më të ndjeshme situatën është fakti se incidenti ndodhi në një kohë kur në Poloni po zhvilloheshin ushtrime ushtarake me pjesëmarrjen e trupave nga 11 shtete të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”.

Gjatë këtyre ushtrimeve po testoheshin planet për një mision të mundshëm në Ukrainë pas përfundimit të luftës.

Ndërkohë, autoritetet polake kishin paralajmëruar edhe më herët për mundësinë e provokimeve ruse, përfshirë shkeljen e hapësirës ajrore dhe të kufirit shtetëror.

Dhe rasti rikthen në kujtesë ngjarjen e nëntorit të vitit 2022, kur një raketë ra në fshatin Przewodów, në territorin polak, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.

Fillimisht, incidenti ngriti shqetësime të mëdha për një përfshirje të mundshme të drejtpërdrejtë të Rusisë kundër një vendi anëtar të NATO-s.

Megjithatë, hetimet e mëvonshme zbuluan se bëhej fjalë për një raketë ukrainase të mbrojtjes kundërajrore, e lëshuar në përgjigje të një sulmi rus.

Sidoqoftë, incidenti i 20 nëntorit është një tjetër dëshmi e rreziqeve që lufta në Ukrainë paraqet për vendet fqinje dhe për sigurinë e krahut lindor të NATO-s, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë masash shtesë do të ndërmarrë Aleanca pas konsultimeve mes vendeve anëtare. /Telegrafi/

Lexo edhe

Deri ku shkon dora e shtetit në Hagë? – Ekspertët e drejtësisë: Mbështetja financiare po, por vendimet i marrin argumentet juridike, jo politika

Deri ku shkon dora e shtetit në Hagë? – Ekspertët e drejtësisë: Mbështetja financiare po, por vendimet i marrin argumentet juridike, jo politika

LSDM: Qytetarët po jetojnë në buzë të varfërisë si pasojë e çmimeve të larta

LSDM: Qytetarët po jetojnë në buzë të varfërisë si pasojë e çmimeve të larta

Nesër paralizohet transportit ajror dhe ai publik në Belgjikë

Nesër paralizohet transportit ajror dhe ai publik në Belgjikë