Papa Françesku ka pretenduar se e ka parë djallin tri herë gjatë jetës së tij, si dhe “dyert e ferrit”, sipas fragmenteve të reja nga ditari i tij privat.

Në librin “Ditari Privat i Papa Françeskut”, të botuar të martën, një shënim i vitit 2021 tregon se Ati i Shenjtë ka pasur tri “pamje” të djallit: një herë nga një makinë, një herë tjetër “në korin e kishës” gjatë Meshës, dhe herën e tretë gjatë një takimi me zyrtarë të Vatikanit.
“Nuk mund ta harroj zërin e tij të ngjirur e të fuqishëm”, shkroi Françesku, duke kujtuar një nga pamjet, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në ditar, i cili përfshin periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2024, ai shpreh gjithashtu keqardhje për vizitën e tij në Kili në vitin 2018, kohë gjatë së cilës u kritikua për mbrojtjen e një peshkopi të akuzuar për fshehjen e abuzimeve seksuale të kryera nga një prift.
Françesku, i cili e drejtoi Kishën Katolike për 12 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 2025, më vonë kërkoi falje dhe i thirri peshkopët e atij vendi në Romë, ku të gjithë ofruan dorëheqjen e tyre.
“I shkatërruar për shkak të situatës në Kili”, shkroi Françesku në një shënim të vitit 2021.
“Ishte e vështirë për mua të pranoja atë që kishte ndodhur në Kili; nuk mendoja se ishte kaq serioze”.
Lidhur me këto përvoja, të cilat Françesku i interpretoi si takime me djallin, ai tha se nuk mund t’i harronte sytë “kërcënues” të djallit.
“Më shikoi me sy që digjeshin… më intensivisht se herën e mëparshme. Ishin si shkëndija zjarri”, shkroi ai për pamjen e dytë.
Ai tregoi se prania e djallit ndërhyri në udhëtimet e tij, përfshirë vizitën në Kili – në mes të skandalit të abuzimeve seksuale nga klerikët – si dhe në një takim pak ditë pasi ishte kthyer në Romë.
“E pashë dhe ia dëgjova zërin; triumfues, duke zotëruar gjithçka”, shkroi ai, duke shtuar se “Zoti më dha mundësinë të çlirohesha nga këto përvoja”.
Burimi: Insajderi





