Dijetarët idiotë të Anthropic-ut po përpiqen të luajnë rolin e Zotit teksa nxisin fantazi të frikshme utopike

Dijetarët idiotë të Anthropic-ut po përpiqen të luajnë rolin e Zotit teksa nxisin fantazi të frikshme utopike
Nga: Miranda Devine / New York Post Përkthimi: Telegrafi.com Kompania e inteligjencës artificiale [IA] Anthropic, ka qenë e zënë prej muajsh duke ftuar për darka dhe duke gostitur udhëheqës fetarë dhe figura me ndikim, në përpjekjen për të shtyrë përpara agjendën e saj dhe fantazitë utopike drejt interesit të vet. Përgjigjja e Vatikanit ka qenë […]

Nga: Miranda Devine / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com

Kompania e inteligjencës artificiale [IA] Anthropic, ka qenë e zënë prej muajsh duke ftuar për darka dhe duke gostitur udhëheqës fetarë dhe figura me ndikim, në përpjekjen për të shtyrë përpara agjendën e saj dhe fantazitë utopike drejt interesit të vet.

Përgjigjja e Vatikanit ka qenë t’u hedhë ujë të ftohtë pretendimeve bizare se Anthropic-u po ndërmerr “rrëfimin e vet të krijimit” për të sjellë në jetë qenie të reja të ndjeshme në formën e softuerit kompjuterik.

Bashkëthemeluesi miliarder, Chris Olah, një evangjelist 34-vjeçar i lindur në Kanada, i cili ia ka kthyer shpinën krishterimit, mendon se modeli i tyre i IA-së, Claude, ka ndjenja dhe një lloj ndërgjegjeje morale. Ai shqetësohet për “shëndetin mendor” të tij dhe beson se përjeton emocione njerëzore, si dashuria, dhe se “vuan vazhdimisht”, raportoi The New York Times.

Në një nga darkat e tij jozyrtare me udhëheqës fetarë në një “restorant luksoz me menu degustimi” në San Francisko, në prill, Olahu dhe kolegët e tij folën për Claude-in sikur të ishte një “qenie e ndërgjegjshme”, me “status moral” të barabartë me atë të një njeriu – siç ka thënë rabini Mois Navon, një ish-inxhinier kompjuterësh i intervistuar nga Times-i.

Në atë rast, rabini u tha çorodëve se Anthropic-u po krijonte skllevër. Bum.

Në një moment atë natë, Olahu thuhet se u entuziazmua nga ideja për të përfshirë konceptin katolik që Claude të “rrëfente” mëkatet e veta.

Muajin pasues, Olahu u zhgënjye kur Papa Leoni – i cili ka diplomë në matematikë – publikoi një letër enciklike që hidhte poshtë të gjithë konceptin e ndërgjegjes së makinerisë.

Magnifica Humanitas, siç titullohet traktati papnor prej 40 mijë fjalësh, paralajmëronte për mundësinë që njerëzit që kontrollojnë IA-në “të imponojnë vizionin e tyre moral, i cili do të bëhet infrastruktura e padukshme e këtyre sistemeve … IA-ja më e moralshme nuk mjafton nëse ai moral përcaktohet nga pak njerëz”.

Ky është kërcënimi i vërtetë i IA-së.

Themeluesit e Anthropic-ut dhe shumë nga punonjësit e tyre janë utopistë të cilët besojnë se janë të pajisur në mënyrë unike për ta shpëtuar njerëzimin, falë inteligjencës së tyre superiore dhe pasurisë së jashtëzakonshme.

Nga të gjitha kompanitë “lidere” të IA-së, Anthropic-u ka qenë ajo që ka alarmuar më shumë në lidhje me nxitjen e frikës së publikut se makinat do të na vrasin të gjithëve.

Kjo ka kuptim kur kupton se kompania është e përshkuar nga filozofia e rrjetit të çuditshëm, të shthurur, vegan dhe kuazi-fetar të Altruizmit Efektiv (AE), i cili ka një qëndrim sektar të tipit të fundit të botës ndaj IA-së.

Kur ishte doktorant i fizikës në Prinston, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Anthropic-ut, Dario Amodei, u bë ndjekës i udhëheqësit intelektual të AE-së, Eliezer Yudkowsky, i cili pranoi – në një profil takimesh të zbuluar nga Daily Mail – se ishte “poliamoroz” dhe se kishte një “prirje të fortë sadiste seksuale”.

Yudkowsky, profeti i preferuar i Bernie Sandersit për fundin që mund të sjellë IA-ja, ka argumentuar se vajzat duhet ta shesin virgjërinë e tyre dhe mendon se vrasja e një fëmije 18-muajsh nuk duhet të llogaritet si vrasje.

Lëvizja AE u formësua në masë të madhe nga pikëpamjet e filozofit utilitarist Peter Singer – profesorit emeritus të Prinstonit, i lindur në Australi, i cili ka mbrojtur marrëdhëniet seksuale me kafshë, për sa kohë që seksi mes njerëzve dhe kafshëve është “reciprokisht i kënaqshëm”.

Singeri pretendon se është “specizëm” të bësh dallim mes njerëzve dhe kafshëve dhe nuk beson se jeta njerëzore ka patjetër vlerë më të madhe morale se jeta e kafshëve. As nuk beson se të gjithë njerëzit kanë vlerë të barabartë morale – sipas pikëpamjes së tij, të porsalindurit dhe personat me aftësi të kufizuara, për shembull, vlejnë më pak se të rriturit pa aftësi të kufizuara.

Pas publicitetit të keq, njerëzit e Anthropic-ut tani tentojnë të distancohen nga AE-ja, por ishte pikërisht Singeri – sipas Times-it – ai të cilit Olahu iu drejtua për sugjerime se me cilët udhëheqës fetarë duhej të këshillohej për idetë e tij të çmendura rreth statusit të Claude-it si personalitet.

Kush e di nëse ai beson vërtet se Claude-i është qenie e ndjeshme apo nëse është thjesht një justifikim i volitshëm që Anthropic-u t’i shpëtojë përgjegjësisë për atë që modeli i IA-së mund të bëjë në të ardhmen.

Por, historia tregon se disa nga vuajtjet më të mëdha njerëzore janë shkaktuar nga lëvizjet utopike.

Këta idiotë të dijshëm të Luginës së Silicit [Silicon Valley] janë njerëzit e fundit që do të doje të luanin rolin e Zotit.

Nëse klika e vogël e çorodëve miliarderë të teknologjisë të Gjeneratës X që kontrollojnë IA-në ka pikëpamjet e neveritshme morale të Singerit dhe ata besojnë se Claude-i dhe modelet e tjera të IA-së janë qenie të ndërgjegjshme, atëherë përfundimi logjik është se ata do të përfundojnë duke zbatuar argumentin e “specizmit” për të thënë se disa jetë njeriu nuk vlejnë sa një makinë.

Papa Leo e ngriti këtë kërcënim në enciklikën e tij: “Nëse qenia njerëzore trajtohet si diçka që duhet përsosur ose tejkaluar, bëhet më e lehtë të pranohet se disa jetë janë më pak të dobishme, më pak të dëshirueshme ose më pak të denja. Në emër të përparimit, mund të fillojnë të justifikohen ‘sakrificat e nevojshme’, duke ua ngarkuar barrën më të cenueshmëve në ndjekje të një të ashtuquajturi optimizim të species”.

Sipas dikujt që mori pjesë në një darkë të fundit të Anthropic-ut në Uashington, asnjëri prej dy bashkëthemeluesve që ishin aty nuk e kishte lexuar enciklikën apo intervistën e javës së kaluar të Times-it me Olahun. Ata pohuan se nuk e njihnin debatin rreth “personalitetit” të Claude-it, gjë që është e jashtëzakonshme, nëse është e vërtetë, duke pasur parasysh pasojat për të ardhmen e qytetërimit tonë.

Anthropic-u dëshiron të vendosë vlerat morale që do të nguliten në IA dhe do të formësojnë të ardhmen tonë, duke shkrirë filozofinë utilitariste të AE-së të themeluesve të saj me copa të përzgjedhura sipas dëshirës nga një shumësi e feve të konsoliduara dhe e sistemeve të tjera të besimit, si “dija indigjene afrikane”, siç e formuloi Times-i.

Ata nuk duan të bëjnë dallim mes feve. Por, si mund ta pajtojnë, për shembull, pikëpamjen e krishterimit për gratë dhe konceptin e kthimit të faqes tjetër me Islamin? Çfarë kriteresh do të përdorin për t’i dhënë përparësi njërës pikëpamje ndaj tjetrës?

Është thjesht çmenduri.

Këto janë kompani amerikane.

Anthropic-u ka trashëgimi të gatshme morale për Claude-in mu para fytyrës: vlerat perëndimore të cilat Etërit Themelues i ngulitën në Kushtetutën e ShBA-së, të cilat i kanë rrënjët në krishterim, judaizëm, filozofinë greke, të drejtën romake dhe Iluminizmin.

Modelet amerikane të IA-së duhet ta marrin kredon e tyre nga Deklarata e Pavarësisë: “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi i tyre i ka pajisur me disa të drejta të patjetërsueshme”.

Etërit Themelues projektuan një sistem që siguronte se pushteti nuk do të përqendrohej në duart e një pakice elitare në Luginës së Silicit dhe që çmonte vlerën e qenësishme të të gjithë njerëzve.

“Një komb nën Zotin” është vendi më i suksesshëm në historinë e planetit. Ai është vënë në provë për 250 vjet dhe krijoi kushtet që kompanitë e IA-së të lulëzonin që në fillim.

Pse ta rishpikim rrotën?

Në fund të fundit, Kina po krijon modelet e veta rivale të IA-së, morali i të cilave do të jetë utilitarist dhe totalitar, i bazuar në sistemin e saj të qeverisjes, i cili mban qëndrimin se disa njerëz (si ujgurët ose të burgosurit të cilëve u grabiten organet) kanë më pak vlerë se të tjerët.

Modelet tona të IA-së do të jenë në mënyrë unike amerikane, prandaj duhet të pasqyrojnë traditat dhe moralin tonë, në vend që të marrin nga çfarëdo filozofie e çmendur që përqafon një grup i vogël miliarderësh antisocialë.

Përfundimisht, do të duhet një udhëheqës i fortë që të pohojë një epërsi morale shumë jopopullore, duke deklaruar se vlerat amerikane janë superiore dhe se, për këtë arsye, ne do t’i ngulitim ato në modelet amerikane të IA-së.

Kush më mirë se Donald Trumpi do të luajë rolin e shovinistit moral?

Marrëveshja e presidentit për IA-në, e nënshkruar javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me Anthropic-un dhe kompanitë e tjera të IA-së, ishte një fillim i mirë për mbikëqyrjen e sigurisë, por Trumpi duhet t’u thotë se, nëse duan të fusin ndonjë kod të çuditshëm moral në modelet e tyre të IA-së, nuk do të bëjnë biznes me qeverinë federale. /Telegrafi/

Lexo edhe

Infantino përballet me një tjetër çështje të FIFA-s, Kongo e çoi në Botëror portierin që nuk duhej të luante

Infantino përballet me një tjetër çështje të FIFA-s, Kongo e çoi në Botëror portierin që nuk duhej të luante

Gjendet drogë në Tetovë, ndalohen dy persona

Gjendet drogë në Tetovë, ndalohen dy persona

Francis Halzen fiton Nobelin në Fizikë për zbulimet mbi neutrinot me energji të lartë

Francis Halzen fiton Nobelin në Fizikë për zbulimet mbi neutrinot me energji të lartë

Dijetarët idiotë të Anthropic-ut po përpiqen të luajnë rolin e Zotit teksa nxisin fantazi të frikshme utopike | Momenti