Ekipi prej tre mjekësh nga organizata austriake “Allianz für Kinder” ka ekzaminuar të premten, në QKMF-në “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë, më shumë se 50 fëmijë nga komuna dhe zona të ndryshme të Kosovës, të diagnostikuar me probleme të zemrës, probleme kirurgjike, ortopedike dhe urologjike. Realizimi i këtij aktiviteti në QKMF-në “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave humanitare dhe institucioneve publike shëndetësore, ka theksuar për RTK-Radio Albana Gashi, drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Fushë Kosovës.
Të premten, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë, ka qëndruar një ekip mjekësor nga Austria, në kuadër të aktiviteteve humanitare të organizatës “Allianz für Kinder”, e cila mbështet fëmijët në Kosovë përmes ofrimit të ekzaminimeve dhe mundësive për trajtim të specializuar.

Gjatë qëndrimit të ekipit mjekësor në QKMF-në “Dr. Fatmir Krasniqi”, të shoqëruar edhe nga një mjeke e QKMF-së, e cila ka ndihmuar edhe gjatë përkthimit, janë kontrolluar më shumë se 50 fëmijë nga Komuna e Fushë Kosovës dhe komunat e tjera të Republikës së Kosovës.
Ekzaminimeve mjekësore iu nënshtruan fëmijë të moshës nga 0 deri në 14 vjeç, të cilët ishin diagnostikuar me probleme të zemrës, probleme kirurgjike, ortopedike dhe urologjike.
Prania e mjekëve nga Austria në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë u ka krijuar familjeve mundësinë që fëmijët e tyre të përfitojnë nga vlerësimet e specializuara mjekësore, duke lehtësuar qasjen në shërbime që mund të kërkojnë konsultime dhe trajtime të mëtejshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, konkretisht në Austri.
Albana Gashi, drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Fushë Kosovës, i tha RTK-Radios se “Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me shoqatën austriake ‘Allianz für Kinder’, ka mundësuar që dy herë gjatë këtij viti të organizohen vizita specialistike për fëmijë nga të gjitha komunat e Kosovës”. Ajo shtoi se “ky bashkëpunim synon t’u mundësojë fëmijëve që kanë nevojë për trajtim të specializuar qasje në vlerësim profesional dhe, për rastet e përzgjedhura, trajtim pa pagesë në institucionet shëndetësore në Austri”.
Tutje, ajo ka theksuar se ekzaminimet janë kryer nga mjekë specialistë të fushave përkatëse, të cilët vlerësojnë gjendjen shëndetësore dhe nevojat për trajtim të mëtejshëm.
“Përtej numrit të vizitave, rëndësia e këtij organizimi qëndron te mundësia që fëmijët të marrin një vlerësim të specializuar dhe familjet të orientohen për hapat e mëtejshëm të trajtimit, ndërsa fëmijët që përzgjidhen pas vlerësimit specialistik, trajtimi në institucionet shëndetësore në Austri ofrohet pa pagesë. Kjo përbën një mbështetje të rëndësishme për familjet, duke ua lehtësuar barrën financiare të trajtimit të fëmijëve”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, sipas dr. Qefsere Simnica, drejtoreshë në QKMF-së “Dr. Fatmir Krasniqi”, “ndihma nga kjo organizatë ka një rëndësi të veçantë për familjet që përballen me vështirësi në sigurimin e trajtimeve të specializuara, pasi mund të krijojë mundësi shtesë për qasje në shërbime mjekësore jashtë vendit, kur kjo vlerësohet e nevojshme”.
Realizimi i këtij aktiviteti, sipas dr. Qefsere Simnicës, dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave humanitare dhe institucioneve publike shëndetësore, ndërsa përmes këtij bashkëpunimi, lehtësohet kontakti i fëmijëve dhe familjeve të tyre me profesionistët shëndetësorë, si dhe krijohen mundësi për identifikimin e nevojave që kërkojnë vëmendje të mëtejshme mjekësore.
Organizata austriake „Allianz für Kinder” luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e fëmijëve që kanë nevojë për kujdes të specializuar shëndetësor. Në rastet e përzgjedhura, organizata mbulon edhe shpenzimet e trajtimit në Austri, si dhe shpenzimet për një prind që e shoqëron fëmijën.
Burimi: RTKLive




