Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar informacione të hollësishme lidhur me kushtet në objektin e paraburgimit në Hagë, pas pyetjeve të shumta nga publiku ditëve të fundit.

Institucioni në fjalë, para disa ditësh ka bërë të ditur se kushtet në paraburgim janë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për trajtimin e të burgosurve, duke garantuar respektimin e dinjitetit njerëzor dhe ndalimin e çdo diskriminimi.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, të paraburgosurve u ofrohen kushte dhe mundësi të ndryshme gjatë qëndrimit:
Aktivitete dhe qasje në informim: Dalje çdo ditë në ajër të pastër, aktivitete fizike dhe sporte si tenisi e futbolli, por edhe kopshtari, pikturë, gatim, shoqërim me të paraburgosur të tjerë, shërbesa fetare, materiale shkrimi, mësime gjuhësh, libra, revista, gazeta dhe programe televizive e radiofonike në gjuhën shqipe.
Ushqimi dhe financat: Tri shujta në ditë të shumëllojshme dhe sipas standardeve ushqyese, mundësi për të gatuar vetë në hapësira e pajisje të dedikuara, si dhe blerje produktesh nga furnizues të jashtëm. Para të gatshme nuk lejohen, por secili ka llogari personale kredie ku mund të shtohen mjete financiare.
Kontaktet me familjen: Dhjetë ditë në muaj për vizita nga familja dhe miqtë, përveç telefonatave, letërkëmbimit dhe videolidhjeve, si dhe vizita private me bashkëshortet dhe fëmijët, jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të zyrtarëve.
Kujdesi shëndetësor: Standarde mjekësore që, sipas Speciales, përmbushin ose tejkalojnë ato të disponueshme përgjithësisht për qytetarët në Holandë.
Sa u përket mekanizmave të mbikëqyrjes, Dhomat e Specializuara theksojnë se Rregullorja e Paraburgimit është hartuar në konsultim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), i cili kryen inspektime të rregullta, të pavarura dhe të paparalajmëruara. Kushtet mbikëqyren edhe nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, i cili deri tani ka realizuar 12 vizita mbikëqyrëse, me të fundit në tetor të vitit 2026.
Specialja shton se të paraburgosurit mund të paraqesin ankesa te shefi i paraburgimit, Avokati i Popullit ose KNKK-ja, ndërsa nëse nuk janë të kënaqur me trajtimin, mund t’i drejtohen Administratores dhe më pas, në rast pakënaqësie me përgjigjen e saj, një paneli gjykatësish.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





