Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Pejën, Klinën, Malishevën dhe Gjakovën, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në mesin e rasteve të raportuara ka dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshorteve, fëmijëve, prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Në Prishtinë janë raportuar tri raste. Në të parin, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij. Gjatë ndërhyrjes, policia i ka sekuestruar një pistoletë me shtatë fishekë, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në dy rastet e tjera, është raportuar dhunë e vazhdueshme fizike ndaj një të miture nga vëllai i saj, si dhe dhunë fizike e psikike ndaj një vajze të mitur nga babai i saj. Viktima në rastin e parë është dërguar në strehimore, ndërsa të dyshuarit në të dy rastet janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Obiliq, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht babanë e tij, i cili ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është raportuar në Klinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Pejë janë raportuar tri raste. Në njërin prej tyre, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj. I dyshuari nuk është lokalizuar ende dhe ndodhet në kërkim të policisë.
Në rastin e dytë, është raportuar dhunë psikike e ushtruar nga babai ndaj vajzës së tij, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, është raportuar një rast i kanosjes dhe dhunës në familje, ku viktimë është bashkëshorti, ndërsa e dyshuar bashkëshortja e tij. Kjo e fundit dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes. Rasti është duke u hetuar.
Në Malishevë, një person është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi kishte shkaktuar probleme në familje dhe kishte ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij. Viktimave u është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Gjakovë, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte keqtrajtuar fizikisht vëllain e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Burimi: Dukagjini





