Skena dramatike janë zhvilluar të mërkurën në mëngjes para burgut Vestre në Kopenhagë, ku janë parë forca të shumta policore, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur edhe një grup i madh personash të veshur me të zeza.
Prania e madhe e policisë është shënuar në të njëjtën kohë kur në burg ka nisur një seancë paraprake, ku janë paraqitur dy zyrtarë të burgut, raporton “Presse-fotos.dk”, transmeton Klankosova.tv.
Bëhet fjalë për dy zyrtarë të burgut nga Kosova, të cilët akuzohen se kanë sulmuar një të burgosur derisa ishin në detyrë në Vestre në Kopenhagë.
Lajmi është raportuar nga “DR News”.
Të mërkurën në mëngjes, dy zyrtarët janë paraqitur në një seancë për masën e paraburgimit, ku akuzat u janë lexuar para gjykatës.
Policia e Kopenhagës e ka konfirmuar akuzën edhe për agjencinë “Ritzau”.
Sipas policisë, dy zyrtarët akuzohen se më 5 tetor, në një qeli në Departamentin Jugor të Burgut Vestre, së bashku dhe në bashkërendim me njëri-tjetrin, kanë goditur disa herë me grushte një të burgosur.
Akuzat janë ngritur në bazë të dispozitës për dhunë të lehtë, neni 244.
Sipas aktakuzës, njëri prej zyrtarëve e ka shtyrë të burgosurin në shtrat brenda qelisë dhe më pas e ka goditur një herë me grusht në fytyrë.
Më pas, zyrtari tjetër e ka goditur disa herë të burgosurin me grushte në fytyrë dhe në trup.
Sipas “DR News”, të dy zyrtarët e burgut i mohojnë akuzat.
Zyrtarët e burgut nga Kosova ndodhen aktualisht në Danimarkë për trajnim, në kuadër të përgatitjeve për punën me të burgosurit e ardhshëm në burgun e Gjilanit, të cilin Danimarka e merr me qira në Kosovë, raporton DR.
Ata do të ndjekin një trajnim gjashtëmujor në Danimarkë, për t’u njohur me kushtet dhe praktikat daneze lidhur me trajtimin e të burgosurve. /Klankosova.tv




