Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.B., i akuzuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Sulltan Dobraj e ka shpallur fajtor A.B.-në dhe e ka dënuar me tre vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 3 prilli 2026.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e 4,855.9 gramëve substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe të një automjeti “Ford Focus”, në pronësi të të pandehurit.
Sipas aktakuzës, më 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë, A.B. dyshohet se, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes së paautorizuar, posedonte dhe transportonte substancë narkotike.
Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit e DHKOKR-së, pas sigurimit të informatave dhe vëzhgimit të të dyshuarit, e kishin ndaluar atë në parkingun e një restoranti. Gjatë kontrollit në automjetin e tij “Ford Focus”, në ulësen e pasme ishin gjetur dhjetë qese me substancë të dyshuar si marihuanë.
Sipas Gjykatës, pesha fillestare e substancës së sekuestruar ishte 5.413 gramë, ndërsa pas ekzaminimit nga AKF-ja, sipas raportit të datës 11 shtator 2026, ishte konstatuar se bëhej fjalë për marihuanë me peshë të përgjithshme prej 4,855.9 gramësh.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Telegrafi/




